Beqiri: Investimet e huaja arritën nivel rekord në 4 vitet e fundit prej 983 milionë euro

Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë konfirmojnë trendin rritës të investimeve të huaja direkte në katër vitet e fundit, duke arritur edhe një nivel rekord prej 983 milionë euro, ose 10.5 % më shumë se një vit më parë.

Drejtori ekzekutiv i AIDA-s, Genti Beqiri, duke reaguar pas publikimin të këtyre të dhënave thekson se ato konfirmojnë trendin rritës të parave të injektuara në ekonomi në formën e investimeve të huaja direkte që kanë sjellë rritje të kërkesës së brendshme dhe rritje të punësimit.

“Në 1 janar 2016 hyri në fuqi ligji për investimet strategjike si një përpjekje dhe provë konkrete e vullnetit dhe vizionit të qeverisë jo vetëm për të krijuar gjithë mbrojtjen e nevojshme juridike për investitorët, por edhe për të siguruar gjithë asistencën e duhur për kompanitë e huaja dhe vendase. Kjo dhe reformat e tjera u reflektuan fillimisht në ngjitjen e konsiderueshme që shënoi Shqipëria në raportin e fundit të Bankës Botërore “Të bësh biznes” dhe tashmë me shifrën prej gati 1 miliardë eurosh të injektuara në ekonomi, që përbën 10 % të GDP-së, duke dhënë kontribut direkt në rritjen ekonomike,” shprehet Genti Beqiri.

Rritja më e madhe e fluksit vërehet në sektorin e energjetikës, falë edhe dy projekteve të rëndësishme, ai i kaskadës së Devollit, një nga projektet më të mëdha hidroenergjetike në Ballkan, dhe Gazsjellësi Transadriatik TAP, i cili pritet që deri në vitin 2019 të sjellë në Shqipëri rreth 1.9 miliard euro.

“Investimet në sektorin e energjetikës, shoqëruar me reformën e qeverisë në këtë sektor po e shndërrojnë gradualisht Shqipërinë nga një vend tërësisht të varur nga importet në një prodhues të qendrueshëm të energjisë. Shembulli i investimit të kompanisë Statkraft ka tërhequr vëmendjen edhe të investitorëve të tjerë për të investuar në energjetikë. Ndërsa në lidhje me TAP bëhet fjalë për një projekt madhor afatgjatë që do ta japë ndikimin e tij të shtrirë në kohë,” deklaron Drejtori ekzekutiv i AIDA-s.

Sipas Beqirit, “shifra rekord prej gati 1 miliardë euro e IHD-së është një motivim më shumë për agjencinë për të vijuar misionin e saj jo vetëm në funksion të promovimit të Shqipërisë si një destinacion shumë i favorshëm për investime, por në të njëjtën kohë ofrimi i gjithë asistencës dhe ekspertizës së nevojshme për kompanitë ekzistuese. Në të njëjtën kohë AIDA synon të shtojë kapacitetet e SME-ve shqiptare dhe të mbështesë hapjen e bizneseve të reja përmes fondeve të saj. Inkurajuese janë edhe shifrat e rritjes së eksporteve gjatë vitit 2016.” Drejtori ekzekutiv i AIDA-s thekson se të dhënat e Bankës së Shqipërisë për rritjen e investimeve të huaja në kohën kur trendi botëror ka qënë në rënie, nuk janë një rastësi.

“Aktualisht MZHETTS po punon për hartimin e një ligji të harmonizuar për investimet, i cili shoqëruar me nisjen e zbatimit të reformës në drejtësi, si edhe të disa investimeve cilësore në fushën e turizmit pritet të sjellin një rritje edhe më të madhe të investimeve në Shqipëri dhe efekte direkte në rritjen ekonomike, shprehet Beqiri.

SHKARKO APP