Berat Buzhala: Ja çfarë do merrja në Arkën e Noes
PYETESORI I LIBRIT/ Një ‘teknikë gazetareske’ të mëson që titujt me emra ‘shesin’. Por, nuk është titulli më domethënësja gjë në intervistën e publicistit Berat Buzhala. Në pyetjen për librin më të vjetër në bibliotekën e tij, ai thotë pak a shumë, se historia e bibliotekave ‘të vjetra’ në Kosovë filon pas vitit 1999, pas Luftës…
-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…
Nuk mund të flasim për kushedi se çfarë bibliotke, e as për kushedi se cfarë vjetërsie. Por mund të themi se ajo çfarë është tash daton vetëm pas vitit 1999. Ato që kisha para kësaj kohe, dhe jo vetëm librat, por edhe fotot, janë shkatërruar. Pra, cilado që të jetë më e vjetra, ajo është e pas vitit 1999.
-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?
Nga autori, kur është fjala për romane, ndërsa prej subjektit kur janë në pyetje autobiografitë e ndryshme.
-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?
Jo.
-Libri i parë që keni lexuar…
Duhet të kenë qenë ‘Besniku’, ose ‘Verorja’.
-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…
Nuk besoj që të ketë ndodhur një situatë e tillë.
-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?
Nuk kisha person të veçantë. Kur ka ndodhur kjo ka qenë spontane.
-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?
Po. Kjo kishte ndodhur kur isha në shkollën fillore. Në këtë kohë në Kosovë funksiononte një sistem i mirë, i cili fatkeqësisht u zhduk gjatë viteve të 90'ta, për shkak të pushtimit serb, dhe për shkak që edhe bibliotekat dhe librat u pushtuan prej regjimit. Kjo e ka dëmtuar mjaftë shumë edhe kulturën e leximit, pasojat e të cilës edhe sot i ndiejmë.
-A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?
Shkoja gjatë gjithë viteve të 80'ta. E kisha afër. Ajo çfarë më kujtohet edhe sot e kësaj dite është administratori i bibliotkës – Shyqa. Ka qenë një djalë më aftësi të kufizuara, në lëvizje, por që për mua shërbente si një busullë se çfarë duhej të lexoja.
-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër?
As kjo nuk më kujtohet të ketë ndodhur.
-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?
Ata që kisha pasur para luftës, që të gjithë. Ka pasur në mesin e tyre edhe libra të dashur.
-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni disa tituj dhe si i siguronit?
Nuk e di saktësisht se çfarë ishte e ndaluar të lexohej në Jugosllavi – përveç librave të diktatorit Enver Hoxha, që edhe ashtu nuk e kam lexuar, ndoshta edhe për shkak të moshës së re. Mirëpo më kujtohet që kam dëgjuar muhabete më të vjetërish lidhur me këto libra. Pas vitit 1989, kur Kosova ishte zyrtarisht nën pushtim, librat nuk u ndaluan më të lexoheshin – më shumë ishte e ndaluar të jetohej, se sa të lexohej.
-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?
Zakonisht nuk e kam lexuar asnjërin prej librave që më është imponuar, qoftë edhe në mënyrë më miqësore. E preferoj një lloj autonomie në vendimmarrje në këtë drejtim. Mirëpo, i pëlqej debatet kur flitet për librin, e ndoshta aty inkurajohem të zgjedh se çfarë të lexoj.
-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?
Vetëm në tryezën e punës, jo. Në fakt, kurrë nuk e kam pasur një të tillë. Ose lexoj shtrirë në kurriz, ose përmbys. Pozicionet i ndërroj pas 20 – 30 minutash, kur filloj të ndiej mpirje ose dhimbje.
-A lexoni në banjë?
Padyshim.
-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?
Anglisht.
-Ç’libër keni në duar aktualisht?
Shkelqimi dhe mjerimi i kurtizaneve.
-Mbani shënime kur lexoni?
Asnjëherë, ç'prej përfundimit të fakultetit.
-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?
Nuk e kuptoj shumë poezinë, e ndoshta – fatkeqësisht – as nuk e ndiej; ose ndoshta as nuk dëshiroj që të futem në këtë fushë. Keni të drejtë, zakonisht kur filloj të lexoj nga një autor, atëherë prej tij i lexoj së paku edhe dy a tri vepra tjera.
-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?
Nuk do të shpik asgjë po që se them se autorë si Gogol'i, Dostojevski, Tolstoi, Balzak, Kadare etj., duhet lexuar patjetër. Pra, nuk besoj që duhet të mërzitemi se përsërituri emrat e këtyre autorëve.
-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?
Jo.
-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi, cilët do ishin?
I kalova disa minuta duke e menduar se cilët do të ishin ata tre tituj. Është e vështirë. E ke një përshtypje sikur po e bën listën finale – përfundimtare. Nuk po arrij. Ndoshta do të kisha zgjedhur dicka nga letërsia e Amerikës Latine, dicka nga ajo ruse dhe ajo shqiptare. Me një fjalë: Verbëri, Saramgo; Vëllezërit Karamazov, Dostojevski dhe Prillin e thyer, Kadare. Sigurisht se nesër do të përgjigjesha ndryshe
-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…
Fjalia e parë tek Ana Karenina, e cila është pak a shumë kështu: Të gjitha familjet e lumtura janë të lumtura njësoj; ato të palumturat janë shumë të ndryshme. Sigurisht që citati duhet të jetë i formuluar shumë më bukur se sa e formulova unë.
-Na thoni një varg të preferuar poezie…
Fatkeqësisht nuk e mbaj mend.
-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?
Lucien de Rubempre.
-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?
Nuk e kam një që e konsideroj të çuditshëm.
MAPO