Berisha: Çmimet në Shqipëri janë rritur 5.2 herë më shumë se mesatarja e BE-së
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar sot atë që e quajti një krizë të thellë ekonomike që po shoqëron krizën politike në vend.
Sipas të dhënave të cituara prej tij, çmimet e ushqimeve në Shqipëri gjatë këtij viti janë rritur 5.2 herë më shumë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian.
“Një problem themelor është problemi i çmimeve. Kriza e thellë politike e vendit po shoqërohet nga një krizë e thellë ekonomike. Qeveria e vendit fqinj, Greqia, ka vendosur të ulë çmimet nga 5 për qind në 30 për qind të 1 600 artikujve. Çmimet e ushqimeve bazë, çmimet e të gjitha mjeteve shkollore për fëmijët, çmimet e produkteve me përdorim të gjerë nga konsumatorët në shtëpi. Pra, Greqia, ndonëse qytetarët e saj kanë një rrogë mesatare katër herë më të madhe se qytetarët shqiptarë dhe çmime qartësisht më të ulëta se në Shqipëri, përsëri i konsideron çmimet tejet munduese për qytetarët dhe bën një ndërhyrje shumë të rëndësishme për lehtësimin e qytetarëve të saj”, tha Berisha.
“Ndërkohë, çmimet në Shqipëri, sipas statistikave më të fundit, çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën këtë vit pesë herë më shumë se mesatarja e vendeve të BE-së. Dhe qeveria ka zero reagim. Çmimet, pra, janë rritur këtë vit, krahasuar me rritjen mesatare të çmimeve të ushqimeve në BE, 5,2 herë më shumë. Dhe qeveria ndërmerr zero veprime. Këto të dhëna, së bashku me të dhënat e tjera, të cilat faktojnë se 30 për qind e shqiptarëve kërcënohen nga uria, janë kambanat e alarmit më të trishtë që bien në këtë vend. Indiferenca e Edi Ramës dhe e qeverisë së tij ndaj kësaj situate tejkalon, do të thosha, qëndrimet më çnjerëzore”, vijoi ai.
KOHA JONË SONDAZH

