Berisha: Diella është vetëm një avatar bosh, s’ka asnjë lidhje me urtësinë artificiale

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella, nuk ka asnjë element të inteligjencës artificiale dhe e cilësoi atë si një “avatar bosh” të krijuar për të mashtruar opinionin publik dhe për të fshehur, sipas tij, aferat korruptive të qeverisë.

“Çdo gënjeshtër i ka këmbët e shkurtra. Çdo gënjeshtër është një turp; është në vetvete një amoralitet. Por gënjeshtrat në rang ndërkombëtar janë turp botëror. Dhe këtu unë do të denoncoj para shqiptarëve një turp botëror të Edi Ramës dhe Bajram Begajt, të cilët do të hyjnë në Librin e Ginesit si mashtruesit më të pacipë të opinionit publik.

Kur, që nga vjeshta e kaluar, Edi Rama paraqiti para shqiptarëve dhe botës një avatar, Diellën, si institucion të inteligjencës artificiale, e emëroi ministre dhe e dekretoi ministre Bajram Begaj, ne e ngritëm zërin. Ne thamë se ky ishte një bllof dhe vetëm një bllof. Se Diella ishte vetëm një mashtrim për të vjedhur disa milionë euro dhe asgjë tjetër. Edi Rama e paraqiti ministren Diella si të gjithëfuqishme në luftën kundër korrupsionit. Për fat të keq, mediat ndërkombëtare fillimisht u mashtruan nga ky bllof i turpshëm, nga ky akt i paprecedentë në historinë e botës.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndërkohë, Diella nuk kishte asnjë lidhje me inteligjencën artificiale, nuk kishte asnjë element të saj; ishte thjesht një avatar bosh, një bllof i Edi Ramës për të maskuar vjedhjet e tij të tmerrshme, që do të dëshmoheshin dhe dëshmohen çdo ditë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Për sa më sipër, falë një eksperti të shquar ndërkombëtar të fushës, Patrick Quirk, i cili i ka kushtuar ditë dhe javë të tëra zbërthimit, një për një, të Diellës, rezulton se ministrja Diella nuk ka absolutisht as edhe një qelizë të vetme të inteligjencës artificiale. Zero! Se është një avatar pa asnjë atribut për luftën kundër korrupsionit, pa asnjë ndërfaqe etj., etj.

Një shkrim i gjatë i një profesionisti të përgjegjshëm, ndërkombëtarisht të njohur në këtë fushë, nxjerr në pah të gjithë shëmtinë e mashtrimit Rama–Begaj, të cilët përdhosën Kushtetutën, përdhosën moralin e shtetit shqiptar, mashtruan shqiptarët dhe botën duke emëruar një ministre, një bot pa asnjë funksion për luftën kundër korrupsionit, pa asnjë atribut, pa asnjë aftësi. Ky është një krim i shëmtuar kushtetues. Kjo është një damkosje tjetër e imazhit të Shqipërisë në Evropë dhe në botë”, tha Berisha.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush është problemi; Edi Rama apo Sali Berisha?