Berisha: Kërkova nga PPE mbështetje ndërkombëtare për protestat qytetare
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mblodhi sot grupin parlamentar të PD-së.
Në fjalën e tij, në nisje të mbledhjes së grupit parlamentar të selisë blu, Berisha tha se ka kërkuar nga Partia Popullore Evropiane mbështetje ndërkombëtare për protestat qytetare, të cilat, sipas tij, mbështeten plotësisht nga forca politike që ai drejton.
“Konferenca e PPE-së u kryesua drejtpërdrejt nga presidenti Manfred Weber dhe ishte një ngjarje shumë e rëndësishme për rajonin. Një ngjarje e cila dëshmonte angazhimin e madh të Partisë Popullore Evropiane për të mbështetur forcat politike anëtare të kësaj partie në përpjekjet e tyre për procesin e integrimit të vendeve tona në Bashkimin Evropian.
Kam paraqitur situatën reale në Shqipëri, ku dhjetëra mijëra dhe qindra mijëra qytetarë janë ngritur kundër regjimit. Janë ngritur me kërkesa të drejta: dorëheqjen e Edi Ramës dhe anulimin e atyre ligjeve që janë një shkelje flagrante e ligjeve kushtetuese të vendit dhe direktivave kryesore të Komisionit Europian për mjedisin, për trashëgiminë kulturore, për mbrojtjen e natyrës”, tha Berisha.
Ai tha se ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare për këto protesta. “Ndaj qytetarët shqiptarë duhet të mbështeten. Nuk duhet të shkohet pas në hapa të tjerë dhe nuk mund të përdoret dhuna ndaj tyre, përveç përmbushjes së kërkesave politike. Informova audiencën se kjo protestë nuk është e thirrur nga Partia Demokratike, por mbështetet plotësisht prej saj, dhe shpjegova arsyet: kërkesat janë të drejta, ndaj ne qëndrojmë në mbështetje të tyre”, nënvizoi Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

