Berisha mesazh socialistëve: Ju përshëndes që dolët në protestë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisjes socialiste, duke pretenduar se pushteti mbahet përmes veprimtarive kriminale dhe korrupsionit. Në një deklaratë për mediat, Berisha sulmoi ashpër Partinë Socialiste dhe historinë e saj politike, duke e akuzuar se ka përdorur pushtetin për interesa të veta.
“Partia që drejton Edi Rama është themeluar mbi krimin nga serbët në vitin 1941. Ajo kreu krime monstruoze me shndërrimin e Luftës Çlirimtare në një luftë civile në shumë zonë të vendit dhe e bëri këtë vetëm e vetëm për pushtetin e saj. Për të mbajtur pushtetin ajo kreu gjenocid në 46 vite diktaturë ndaj shqiptarëve. Të njëjtën gjë bën Edi Rama sot, narkodiktatori, por natyrisht jo në një diktaturë totalitare, se atë nuk e vendos dot, por në një diktaturë autoritare, në të cilën bazohet në vjedhjen e tmerrshme të shqiptarëve. Bazohet në tonelatat e miliardave të eurove nga droga. Bazohet në korrupsionin dhe organizatat kriminale”, tha Berisha.
Berisha iu referua gjithashtu disa socialistëve që kanë protestuar kundër reformës territoriale, duke përshëndetur ata që, sipas tij, kanë zgjedhur të distancohen nga vendimet e strukturave drejtuese të partisë.
“Me këtë, nuk dua të them se socialistët janë kriminelë, jo, absolutisht. Por dua të them se udhëheqja e PS, ish-Parti Pune, ish-parti komuniste, qëndron në pushtet vetëm e bazuar në krimin, ndaj dhe meriton plotësisht të quhet parti krimi. Përshëndes përzemërsisht të gjithë ata socialistë që këto ditë vape kanë zgjedhur protestën dhe po djegin dokumentin e partisë së krimit”, u shpreh ai.
KOHA JONË SONDAZH

