
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli sot në një konferencë për mediat, nga ku bëri thirrje për një protestë të fuqishme kombëtare, nesër në orën 12:00.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare, nesër në orën 12:00, PD-ja fton të gjithë anëtarët, anëtaret dhe mbështetësit e saj nga mbarë vendi në një protestë të fuqishme kombëtare, në mbështetje të revoltës studentore.
Studentët, në revoltën e tyre shumëditore, kanë dëshmuar guximin e paparë ndonjëherë të qytetarëve në rrugët dhe sheshet e Tiranës. Studentët, në revoltën e tyre, kanë gjunjëzuar narkoshtetin jo një, por disa herë. Me trimërinë e tyre, vajzat dhe djemtë e gjimnazeve dhe të universiteteve kanë fituar një simpati botërore. Studentët kanë bërë krenarë sot, me trimërinë dhe guximin e tyre, çdo shqiptar. Protesta të shumta ka kudo, por mediat më të mëdha ndërkombëtare dhe rrjetet më të fuqishme sociale janë të mbushura me skenat e heroizmit studentor dhe të barbarisë qeveritare në rrugët e Tiranës. Ata kanë lartësuar emrin dhe dinjitetin e shqiptarëve”, u shpreh Berisha.