Berisha njoftoi heqjen e non-gratës, zbardhen sms-të në grupin e PD
Sali Berisha u shpreh sot se ai nuk ka më kufizim për të udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai shtoi se non grata nuk ka ekzistuar asnjëherë, por nuk u përgjigj nëse heqja e këtij sanksioni përfshinte edhe familjen. Pas marrjes së lajmit, deputetët demokratë kanë nxituar të shprehin urimet e tyre edhe në whatsapp e grupit parlamentar të PD-së.
Deputeti Arjan Ndoji teksa ka uruar Berishën, nuk ka harruar të kujtojë edhe qëndrimet e pak viteve më parë të disa prej deputetëve të cilët deklaronin se kreu i PD-së po e përdorte partinë për të mbrojtur veten. ”Urime Doktor. Për të gjithë ata që brenda forcës thanë që mbron veten nëpërmjet Partisë, i përshëndesim dhe i urojmë të mos nguten në jetë. Për të gjithë anëtarët e PD-së kjo është fitore dhe duhet kapitalizuar në proces pune të përditshme”, shkruan Ndoji.
Pas nisjes së Foltores së Rithemelimit nga ana e Berishës, më shumë se gjysma e grupit parlamentar fillimisht, me në krye Gazment Bardhin e akuzuan atë se po përdorte logon dhe siglën e PD-së për tu mbrojtur nga non grata. Akuzat pushuan së ekzistuari vetëm kur Berisha mori në dorë edhe ligjërisht drejtimin e partisë dhe deputetët dikur mbështetës të Bashës, u shkrinë me grupin e kreut të PD-së.
KOHA JONË SONDAZH

