Berisha paralajmëron furtunë në PD: Sot mblidhet Kryesia, beteja do të jetë finale
Partia Demokratike pritet të mbledhë sot Kryesinë, ku do të diskutohet dhe vendoset data e nisjes së protestave. Lajmi u paralajmërua një ditë më parë nga Sali Berisha gjatë takimeve me qytetarët në Elbasan, ku ai njoftoi se vendimi do të merret me urgjencë.
Kreu i PD-së i cilësoi zgjedhjet e 11 majit si një farsë, duke deklaruar se procesi zgjedhor deformohet kur, sipas tij, qeveria përdor gjithë mekanizmin shtetëror për të ndikuar votën. Berisha përmendi punësimet e përkohshme, lejet e ndërtimit, certifikatat e pronësisë dhe legalizimet si mjete presioni ndaj qytetarëve.
“Sot në drekë mblidhet Kryesia e PD-së dhe do të vendoset pa vonesë për nisjen e protestave dhe revoltës qytetare”, u shpreh Berisha, duke theksuar se aksioni opozitar do të vijojë deri në largimin e qeverisë.
Ai shtoi se ka qytetarë të gatshëm të dalin në protestë menjëherë dhe se numri i tyre do të rritet. “Edhe nëse janë disa mijëra në fillim, ata janë të vendosur. Nuk mund të pranojmë më një farsë”, deklaroi Berisha, duke e cilësuar përballjen si një betejë për parime dhe liri demokratike.
Në fjalën e tij, Berisha u bëri thirrje strukturave të partisë të angazhojnë më shumë të rinjtë, duke kujtuar rolin e tyre historik në përmbysjen e diktaturës komuniste. Sipas tij, mobilizimi i të rinjve është kyç për organizimin dhe vazhdimin e protestave.
KOHA JONË SONDAZH

