Berisha: PD mbështet investimet e huaja, nuk kam asnjë faqe të projektit të Zvërnecit

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli këtë të hënë para ambienteve të Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku u pyet edhe në lidhje me projektin e Zvërnecit dhe debatet që e kanë shoqëruar atë.

Berisha deklaroi se nuk ishte vendi për të komentuar çështje që nuk lidhen me SPAK-un, duke shtuar se është i gatshëm të japë qëndrime më të zgjeruara në selinë e Partisë Demokratike.

Duke komentuar incidentin ndaj një protestuesi, ai dënoi ashpër veprimin e policisë, duke e cilësuar si “rrëmbim në duart e policisë” dhe një “akt të shëmtuar të Policisë së Shtetit”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sa i përket projektit të Zvërnecit, Berisha tha se nuk disponon asnjë dokument të projektit, megjithëse, sipas tij, ka ndjekur me interes publikimet mbi këtë çështje.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Partia Demokratike është një forcë politike që mbështet investimet e huaja”, u shpreh ai, duke kujtuar se gjatë qeverisjes së tij ishte miratuar një ligj që, sipas tij, zgjidhte në mënyrë të plotë çështjet e pronësisë për investitorët.

Sipas Berishës, ligji parashikonte që në rastet kur një investitor i huaj miratohej mbi bazën e dokumenteve origjinale kadastrale dhe lindnin konflikte pronësie, shteti merrte përsipër dëmshpërblimin ndaj pronarëve me vlerën e tregut.

Ai argumentoi se kjo skemë shmangte pengesat ndaj investitorëve të huaj dhe krijonte garanci si për investimet, ashtu edhe për pronarët që pretendonin cenim të së drejtës së pronës.

Në përfundim, Berisha theksoi se Partia Demokratike vijon të mbështesë protestat qytetare, por njëkohësisht është në favor të investimeve të huaja, duke i konsideruar përpjekjet për largimin e investitorëve si veprime në kundërshtim me interesin e vendit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?