Berisha përkujton 10-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës: Bijë e madhe e kombit shqiptar!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përkujtuar 10-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, duke e cilësuar atë një prej figurave më të mëdha të njerëzimit dhe “bijën më të shquar të kombit shqiptar”.
Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha kujton 5 shtatorin e vitit 2016, kur në sheshin “Shën Pjetri” në Romë, Papa Françesku shpalli shenjtore Nënë Terezën e Kalkutës.
Sipas Berishës, shenjtërimi i saj përbën një moment të veçantë jo vetëm për botën e krishterë, por edhe për kombin shqiptar.
“Sot është një ditë e shënuar për kombin shqiptar dhe për mbarë botën e krishterë. Sot kujtojmë përvjetorin e shenjtërimit të bijës më të shquar të kombit shqiptar, Nënë Terezës”, shprehet Berisha.
Kreu i PD-së vlerëson jetën dhe veprën humanitare të Nënë Terezës, e cila ia kushtoi jetën të varfërve, të sëmurëve dhe njerëzve të braktisur.
Berisha sjell në vëmendje edhe vlerësimin e Papa Françeskut në ceremoninë e shenjtërimit, duke theksuar se Nënë Tereza u bë një simbol i mëshirës, dashurisë dhe përkushtimit ndaj njerëzve më në nevojë.
“Për shqiptarët, shenjtërimi i Nënë Terezës ishte një nderim i jashtëzakonshëm. Ishte kurorëzimi i një jete të rrallë, por edhe një dëshmi madhështore e vlerave që shqiptarët kanë mundur t’i japin njerëzimit”, shkruan Berisha.
Ai e cilëson figurën e Nënë Terezës si një dëshmi të fuqisë së humanizmit dhe të vlerave që mund t’i japë një komb njerëzimit, pavarësisht madhësisë apo pasurisë së tij.
Në mesazhin e tij, Berisha nënvizon gjithashtu identitetin shqiptar të Nënë Terezës, duke e përmbledhur figurën e saj me një frazë: “Ajo lindi shqiptare, u bë qytetare e botës dhe mbeti deri në fund një bijë krenare e kombit të saj”.
Në përfundim, lideri demokrat shpreh admirim dhe krenari për Shën Nënë Terezën, duke e cilësuar atë si një grua që u dha miliona njerëzve shpresë, dinjitet dhe dashuri.
“Me përulësi, admirim dhe krenari, ne kujtojmë sot Shën Nënë Terezën, gruan që ia kushtoi jetën më të varfërve, të sëmurëve, të braktisurve dhe të vuajturve”, përfundon Berisha.


KOHA JONË SONDAZH

