Berisha: Protesta më e fuqishme që ka njohur Tirana, Rama të heqë dorë nga anti-mitingu
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli në një konferencë për mediat ku foli për protestat që po zhvillohen në Tiranë.
Ai u bëri thirrje demokratëve që të dalin në protestë, ndërsa shtoi se ligjet që kërkojnë protestuesit të anulohen, PD i ka votuar kundër në Parlament.
“Jam këtu për të shprehur edhe një herë mbështetjen më të fuqishme të Partisë Demokratike për protestën madhështore të rinisë dhe qytetarëve të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë. Protestë e cila është shndërruar në një uragan të fuqishëm kundër diktaturës autoritare, regjimit të Edi Ramës, të bazuar në farsën zgjedhore, krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. Tirana nuk ka njohur në historinë e saj një protestë kaq të fuqishme dhe masive sa kjo.
Ndaj, thirrja ime për çdo demokrat e demokrate, mbështetës e mbështetëse të PD-së, është të bashkohen me protestën e rinisë dhe qytetarëve të Tiranës. Kjo protestë tejkalon kufijtë e forcave politike, por kërkon me vendosmëri fundin e regjimit autokratik të Edi Ramës. Ajo kërkon anulimin e një sërë ligjesh, për të cilat deputetët e PD-së në Parlament kanë votuar kundër në komisione dhe në seanca plenare. Ata i kanë kundërshtuar këto ligje antikushtetuese, të cilat bien në kundërshtim me direktivat e KE-së. Pra, çdo demokrat e demokrate, por edhe çdo qytetar e qytetare e Shqipërisë, ka motivet më të rëndësishme për të mbështetur këtë protestë, e cila, krahas përmasave të uraganit në rrugët dhe sheshet e Tiranës, ka marrë edhe përmasa të papara botërore. Ajo është bërë lajm dhe superlajm në të gjitha agjencitë më të mëdha të botës.
Por unë jam sot këtu për të denoncuar me forcën më të madhe qëndrimin e papërgjegjshëm, cinik dhe armiqësor të Edi Ramës dhe rrethit të tij ndaj protestës, kërkesave të protestuesve, dhe për të paralajmëruar se, me këtë qëndrim, ai kërkon ta zhysë vendin në kaos. Është e pafalshme dhe e papranueshme përpjekja e tij për të zbehur uraganin e fuqishëm me antimitingje anakronike, duke pretenduar se po feston 85-vjetorin e partisë së krimit. Kjo është cinike. Është poshtëruese dhe fyese për çdo shqiptar t’i kundërvihesh protestës qytetare me takime të figurave të krimit në PS, takime që ngjasojnë, nga Alfa te Omega, me mbledhjet e mafies. Edi Rama duhet të heqë urgjentisht dorë nga antimitingjet. Ai nuk duhet të sfidojë uraganin e fuqishëm dhe paqësor të rinisë studentore me antimitingje mafioze.
Edhe një herë, e dënoj me forcën më të madhe këtë qëndrim dhe i bëj thirrje opinionit publik ndërkombëtar, si edhe atij politik, të mbështesin këtë protestë, e cila ka përcaktuar si mision shpëtimin e Shqipërisë nga narko-regjimi i Edi Ramës.
Dënoj gjithashtu provokacionet e ulëta të Edi Ramës ndaj protestuesve, epitetet, fiksimet dhe halucinacionet e tij”, u shpreh Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

