Berisha: Protestat, lëvizja më e rëndësishme e 35 viteve të fundit
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një intervistë për TruthTimes, ku u ndal te protestat e zhvilluara në Tiranë, që nisën për projektin në Zvërnec.
Berisha i ka përshkruar protestat e udhëhequra nga të rinjtë në Shqipëri si “lëvizjen më të rëndësishme të 35 viteve të fundit”, duke i renditur ato krahas kryengritjes që rrëzoi diktaturën komuniste në vitet 1990.
Në një intervistë për median britanike “Truth Times”, kryedemokrati kërkoi që Kryeministri Edi Rama, i cili sipas tij “nuk ka legjitimitet” për të qeverisur, të japë dorëheqjen menjëherë në favor të një qeverie kujdestare jopartiake.
Berisha dënoi gjithashtu dhunën policore ndaj demonstruesve, hodhi poshtë pretendimet për ndërhyrje të huaj pas trazirave dhe pretendoi se autoritetet u përpoqën t’i fabrikonin lëvizjes një imazh antisemit. Mesazhi i tij për protestuesit ishte: “Mos u ndalni kurrë!”
Berisha tha se Rama e kishte paraqitur fillimisht projektin si një marrëveshje mes pronarëve privatë të tokës për të zhvilluar pronën e tyre me një investitor privat.
Ai këmbënguli se qëndrimi i tij ka mbetur i pandryshuar gjatë gjithë kohës: ai dhe Partia Demokratike i mirëpresin investimet e huaja direkte “me kushtin e vetëm që ato të respektojnë ligjin”, një qëndrim që sipas tij e mbajti për herë të parë tre vjet më parë, kur u shpall investimi i Kushner-it, dhe e përsëriti fjalë për fjalë ditën kur nisën protestat. “Ky qëndrim nuk ndryshon”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

