Berisha: Qeveria po e çon vendin drejt një konflikti të gjerë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e çon vendin drejt një konflikti të gjerë përmes dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve, ndërsa kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të tij.

“Sot, në Mat, Tropojë dhe Kurbin, është shpallur greva në mbështetje të fuqishme të revoltës studentore. Sot, në Korçë, Vlorë dhe mbarë jugun, nxënësit janë në grevë, në solidarizim me rininë studentore dhe revoltën e saj. Ndërkohë, regjimi i Padrinos ka shumëfishuar dhunën dhe terrorin kundër studentëve dhe protestuesve në Tiranë.

Janë mbi 150 të ndaluar nga narkobanditët me uniformë, qytetarë pa asnjë lidhje me ndonjë akt të veçantë të paligjshëm.

Swiss Digital Desktop Reklama

Edi Rama, në skenarin e mbylljes së universitetit, dërgoi mbrëmë narkobanditët e tij policë, me mjete dhe automjete policie, për të thyer xhamat, terrorizuar dhe hedhur spraj ndaj vajzave në konviktet e studenteve, akte këto tipike të diktaturave të bandës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në fjalën e tij, ai shtoi revoltën te mbarë shqiptarët. Deklaroi në mënyrën më të papërgjegjshme se nuk jep dorëheqjen. Në këtë mënyrë, ai po e çon vendin drejt një konflikti të gjerë.

Në spitalet e vendit po mjekohen protestues me kafkë të shpuar nga plumbi në ballë. Plumbi i gomës, megjithatë, mund të ketë shkaktuar dëmtime të tilla, siç tregon skaneri, i cili tregon vrimën në pjesën ballore të vajzës së goditur.

Të tjerëve u janë krijuar plagë të rënda, hematoma të mëdha në kokë dhe në trup. Ka pamje të filmuara në dhoma të lokaleve të paidentifikuara, ku janë hedhur me dhjetëra studentë të dërrmuar, të goditur dhe të lënë përtokë.

PD u bën thirrje mbarë qytetarëve të mbështesin me të gjithë potencialin e tyre këtë lëvizje historike, këtë revoltë historike të studentëve të Tiranës dhe universiteteve të vendit, këtë revoltë historike shpëtimtare të mbarë rinisë shkollore dhe më gjerë.

PD u bën thirrje bizneseve të vogla, që kanë te kjo parti partinë e tyre, të gjejnë format dhe të shprehin solidaritetin e tyre të plotë me studentët në revoltë. PD i garanton ata se studentët nuk kanë urrejtje ndaj tyre.

Urrejtja studentore është për Padrinon dhe oligarkët e tij. Por është në kodin moral të biznesmenit të ndershëm e të qytetëruar të marrë anën e studentëve, qoftë edhe me një ndërprerje të përkohshme të punës njëorëshe ose dyorëshe, në mënyrë që të inkurajojë këtë lëvizje.

Një akt miqësor ndaj studentëve dhe revoltës së tyre, që po tregojnë një guxim të jashtëzakonshëm, pritet nga çdo biznesmen.

Narkoshteti i Edi Ramës është armiku kryesor i tyre, armiku kryesor i shqiptarëve. Dhe studentët po përballen pikërisht me narkoshtetin e Edi Ramës.

Indiferenca ndaj revoltës studentore, dashje pa dashje, është mbështetje për regjimin më të urryer të shqiptarëve dhe për Edi Ramën. U bëj thirrje të gjitha shërbimeve publike të konsiderojnë rreshtimin e tyre me studentët.

Është e një rëndësie jetike zgjerimi dhe universalizimi i kësaj greve, i kësaj revolte. PD dënon me forcën më të madhe vendimet e sotme të dhëna nga një gjykatëse në konflikt të hapur interesi, e cila, sipas përkufizimit të ligjit dhe në respekt të tij, për shkak të pozicionit të bashkëshortit, duhet të refuzonte vlerësimin e masës ndaj heronjve të revoltës studentore”, tha Berisha.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A jeni dakort me djegiet e bizneseve që po bëjnë protestuesit?