Berisha: Rama do vazhdojë krimin ndaj shqiptarëve duke reduktuar edhe 15 bashki
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë se po vijon, sipas tij, “antireformën territoriale”, duke synuar uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga puna e përbashkët për reformën territoriale, pasi, sipas tij, kuptoi se propozimet e Partisë Demokratike po mbështeteshin gjatë konsultimeve.
“Dhe pas kësaj antireforme vazhdohet në mënyrën më të papërgjegjshme, më antishqiptare: nga 60 bashki të kalohet në 40.
Unë duhet të përgëzoj zotin Luçiano Boçi dhe të gjithë anëtarët e ekspertët e komisionit, të cilët punuan me një përkushtim të madh për një reformë të re elektorale, e përcaktuar si kusht për integrimin edhe në raportin e tetorit të Komisionit Evropian.
Natyrisht, për 14 vite nuk mund të zhbëhet boshatisja e madhe që ka ndodhur, as braktisja e madhe që ka përjetuar vendi. Por një hap i rëndësishëm drejt ripopullimit të zonave të shkatërruara duhet të jetë edhe reforma territoriale.
Grupi i punës për reformën territoriale, me bashkëkryetar Arbër Maznikun, një peng i njohur i shumë veseve të tij, kur e them këtë, e them për një njeri që zbaton verbërisht urdhra, së bashku me Ervin Demon, dy armiqtë kryesorë të komuniteteve lokale në Shqipëri, me në krye Edi Ramën, punoi dhe zhvilloi konsultime në mbarë vendin. Mbeti vetëm konsultimi në Tiranë për të përmbyllur serinë e konsultimeve.
Ndërkohë, grupi punoi për hartën, por ajo do të përfundonte vetëm pas konsultimeve të plota dhe pas ekspertizës ndërkombëtare që do të merrnim.
Edi Rama e kuptoi se kjo ishte një betejë e humbur.
E kuptoi se reforma territoriale kishte ngjallur pakënaqësi të madhe dhe se kudo ku shkuan për konsultime u mbështetën sugjerimet dhe qëndrimet e përfaqësuesve të Partisë Demokratike.
Ai u tërhoq në mënyrë të njëanshme dhe të padenjë, paraqiti në Parlament një raport që nuk ishte paraqitur në komision dhe që nuk mund të paraqitej kurrë në Parlament. Më pas e publikoi atë, duke treguar se, sipas tij, në këtë veprim që e cilëson si krim monstruoz kundër shqiptarëve nuk ndalet, por synon të heqë edhe 15 bashki të tjera, duke e reduktuar numrin e bashkive në vendin më malor të Evropës.
Në një vend ku 80 për qind e sipërfaqes përbëhet nga male dhe kodra, synon ta përqendrojë pushtetin në pëllëmbën e dorës së tij të zezë, vetëm për qëllime shpopullimi dhe pasurimi.”
KOHA JONË SONDAZH

