Berisha: Sot do jetë protesta më e fuqishme, dilni nga guaska e frikës!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e sotme kombëtare, që nis në orën 19:00, për të protestuar kundër qeverisë.
Berisha thotë se kjo do të jetë një kryengritje paqësore, por më e fuqishmja që Shqipëria ka njohur, sikundër ka thënë edhe për protestat e mëparshme.
“Sot, në ora 19:00, qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë ngrihen në kryengritjen e tyre paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria. Ngrihen mbi dhunën, terrorin e regjimit, e klaneve të drogës, e policisë politike të patronazhistëve, kërcënimeve të tyre. Ngrihen për të mbrojtur interesat më jetike të vetat, të qytetarëve shqiptarë.”, tha ai.
Në konferencën për mediat, kryedemokrati theksoi se kryeministri Edi Rama mbrojti veten e tij dhe Belinda Ballukun, duke kundërshtuar drejtësinë dhe mos lejuar heqjen e imunitetit të saj si deputete.
Sipas tij, ai përdori 83 mandatet, që ai i cilëson si të krimit, “për të mbrojtur vjedhjet e tij të pallogaritshme të tij dhe Lubi Ballukut.” Berisha thotë se Rama e bëri këtë gjë pasi emri i tij del në 60% të dosjes së ish zv kryeministres.
“Bllokimi i heqjes së imunitetit e arrestimit të Ballukut ishte mburojë për veten e tij pasi në dosjen Balluku, Edi Rama është aksioner të paktën me 60% të veprave kriminale që mban ajo dosje në total 1.2 miliardë dollarë. Qytetarët shqiptarë kanë sot 1001 motive për të dalë nga guaska e konformizmit dhe frikës dhe për t’u bashkuar me ne në kryengritjen tonë paqësore.”, shtoi Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

