Berisha takon Presidentin e Parlamentit të Rajonit të Brukselit: Shqipëria është në një moment të vështirë demokratik
Sali Berisha zhvilloi një takim zyrtar me Presidentin e Parlamentit të Rajonit të Brukselit, Bertin Mampaka. Kreu i PD-së shprehu mirënjohjen për Parlamentin e Brukselit dhe për institucionet federale belge në të gjitha nivelet për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve ndër vite. ”Gjatë takimit, paraqita situatën aktuale në Shqipëri, duke theksuar se vendi ndodhet në një moment të vështirë demokratik. Duke iu referuat raportit të fundit të Institutit V-Dem, i cili e klasifikon Shqipërinë si “autokraci elektorale”, duke e cilësuar këtë si një alarm serioz për demokracinë në vend. Theksova se në Shqipëri prej më shumë se një dekade nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme.Po ashtu u ndala në arrestimin e tre liderëve të opozitës gjatë vitit elektoral dhe iu referua shqetësimeve të ngritura nga kreu i Delegacionit të Misionit Vëzhgues të Parlamentit Europian në zgjedhjet në Shqipëri, lidhur me ndikimin e krimit të organizuar në proceset zgjedhore”,-shkruan Berisha.
Postimi i plotë
Sot zhvilluam një takim zyrtar me Presidentin e Parlamentit të Rajonit të Brukselit, z. Bertin Mampaka. Në fjalën e mirëseardhjes, Presidenti Mampaka shprehu vlerësimin për praninë tonë duke theksuar rëndësinë dhe rolin e veçantë që ka Parlamenti i Brukselit. Ai vlerësoi gjithashtu kontributin ndër vite në politikë, veçanërisht angazhimin në mbrojtje të demokracisë dhe pluralizmit. Duke falënderuar për pritjen zyrtare, shpreha mirënjohjen për Parlamentin e Brukselit dhe për institucionet federale belge në të gjitha nivelet për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve ndër vite.
Gjatë takimit, paraqita situatën aktuale në Shqipëri, duke theksuar se vendi ndodhet në një moment të vështirë demokratik. Duke iu referuat raportit të fundit të Institutit V-Dem, i cili e klasifikon Shqipërinë si “autokraci elektorale”, duke e cilësuar këtë si një alarm serioz për demokracinë në vend. Theksova se në Shqipëri prej më shumë se një dekade nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme.Po ashtu u ndala në arrestimin e tre liderëve të opozitës gjatë vitit elektoral dhe iu referua shqetësimeve të ngritura nga kreu i Delegacionit të Misionit Vëzhgues të Parlamentit Europian në zgjedhjet në Shqipëri, lidhur me ndikimin e krimit të organizuar në proceset zgjedhore.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të grupeve kriminale shqiptare dhe karteleve të drogës, të cilat kanë shtrirë aktivitetin e tyre nga Amerika Latine drejt porteve europiane, duke u kthyer në një shqetësim jo vetëm kombëtar, por edhe europian. Theksova se paratë e krimit dhe trafikut të drogës po deformojnë ekonominë, veçanërisht përmes investimeve në sektorin e ndërtimit. Gjithashtu shpreha keqardhjen për emigracionin masiv, duke bërë të ditur se mbi 1.1 milion shqiptarë janë larguar drejt vendeve të BE-së në dekadën e fundit.
E cilësova korrupsionin si një problem kyç, duke përmendur rastin e refuzimit të mazhorancës për të lejuar arrestimin e një zyrtari të lartë, pas kërkesës së SPAK. Nga ana e tij, Presidenti Mampaka vlerësoi rolin e PD në mbrojtje të demokracisë, pluralizmit dhe transparencës. Ai u shpreh se do të ngrejë shqetësimet e paraqitura në Parlamentin e Brukselit dhe në nivele të tjera të qeverisjes, duke përdorur të gjitha instrumentet parlamentare për të rritur ndërgjegjësimin mbi situatën në Shqipëri.
Riafirmova angazhimin e Partisë Demokratike për integrimin europian të Shqipërisë, duke theksuar se ky proces duhet të jetë i bazuar në meritë dhe standarde reale. Nënvizova nevojën për rikthimin e shtetit të së drejtës dhe organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme organizuar nga një qeveri teknike. Në këtë takim shoqërohesha nga deputetët Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi, Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Enri Ceno, si dhe znj. Erisa Bajaziti, znj. Denisa Nela dhe z. Ilir Lika, përfaqësues të komunitetit shqiptar në Belgjikë. Presidenti Mampaka shoqërohej nga deputetja znj. Kristela Bytyci dhe stafi i tij.
KOHA JONË SONDAZH

