
Opozita pritet të rikthehet të shtunën në protestë, të cilën kreu i PD-së, Sali Berisha e cilëson si kombëtare. Në një konferencë për mediat, ai deklaroi se tubimi do të zhvillohet në mbështetje të studentëve, duke theksuar se PD-ja është e vendosur të mbështesë kauzën e tyre. “Partia Demokratike thërret protestë kombëtare në mbështetje të studentëve. Asgjë nuk ndan më Partinë Demokratike nga këto dy parime”, u shpreh Berisha.
Gjatë komunikimit me gazetarët, kreu i demokratëve përmendi gjithashtu mbështetjen që, sipas tij, lëvizja ka marrë nga përfaqësues të politikës ndërkombëtare, përfshirë kongresmenë amerikanë dhe eurodeputetë. “Kongresmenë të dy forcave më madhore politike të Shteteve të Bashkuara, republikanë dhe demokratë, anëtarë të shquar të Parlamentit Europian dhe Bundestagut. Mbështetje të fuqishme kanë dhënë organizatat e partive politike të qendrës së djathtë”, deklaroi ai.
Berisha u ndal edhe te reagimi i policisë gjatë protestave të zhvilluara deri më tani, duke e cilësuar atë si dhunë ndaj protestuesve. Ai akuzoi gjithashtu autoritetet se po përdorin frikën për të frenuar lëvizjen opozitare. Opozita synon ta vijojë aksionin politik edhe në Kuvend. Berisha foli për qëndrimin e deputetëve të opozitës në komisionet parlamentare, duke kërkuar që ata të paraqiten për të shprehur qëndrimin e tyre ndaj ngjarjeve të fundit. “Të paraqiten ku të bëjnë deklarata për të dënuar dhunën e egër ndaj studentëve”, u shpreh Berisha.
