
Sali Berisha,u ka bërë apel qytetarëve që t’i bashkohen protestës së nesërme në Tiranë, në mbështetje të revoltës studentore. Gjatë një deklarate për mediat nga selia e PD-së, Berisha e cilësoi kauzën e studentëve si një çështje që tejkalon interesat e tyre, duke theksuar se suksesi i protestës është në interes të të gjithë shqiptarëve që dëshirojnë të ndërtojnë të ardhmen në vend.
“Një thirrje miqësore për çdo qytetar shqiptar, të bashkohemi nesër në protestën më të fuqishme në mbështetje të revoltës studentore”, deklaroi Berisha. Kreu i PD-së u shpreh se studentët kanë treguar guxim, vendosmëri dhe sakrifica, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve, pavarësisht moshës apo bindjeve politike, të mbështesin kauzën e tyre. “Studentët kanë habitur shqiptarët dhe botën me trimërinë, sakrificat dhe vendosmërinë e tyre. Ata meritojnë çdo mbështetje”, tha kreu i demokratëve.
Po ashtu Sali Berisha përsëriti akuzat ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si “narkodiktaturë”, ndërsa e lidhi revoltën studentore me të ardhmen e vendit dhe largimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Në përfundim të deklaratës, ai përsëriti apelin për pjesëmarrje masive në protestë, me mesazhin: “Të gjithë në Tiranë, të gjithë me studentët!”