Biblioteka “Thimi Mitko” përmbush “Një peng nderimi për Petraq Peppon”, korçarin e dijes, të kujtesës dhe të dinjitetit qytetar

Nga Albert Vataj

Ka figura që qyteti i mban brenda vetes si një borxh të heshtur. Jo për mungesë dashurie, por për shkak të peshës së madhe që vlerat e tyre kërkojnë një akt të denjë mirënjohjeje. I tillë ishte edhe profesor Petraq Peppo, pedagog, historian, studiues i palodhur dhe “Mësues i Popullit”, për të cilin Korça kishte prej kohësh një peng nderimi. Ky peng u shlye me dinjitet nga Biblioteka Publike “Thimi Mitko”, e cila, në bashkëpunim me familjarët, Universitetin “Fan S. Noli” dhe Gjimnazin “Raqi Qirinxhi”, organizoi një aktivitet përkujtimor domethënës në 36-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta (14 dhjetor 1989).

Petraq Peppo e kishte lënë si amanet që i gjithë fondi i bibliotekës së tij personale t’i përkiste Korçës. Ky akt nuk ishte thjesht një dhuratë librash, por një testament moral: një thirrje për ta mbajtur gjallë lidhjen mes dijes, qytetit dhe brezave. Pikërisht në këtë frymë, Biblioteka “Thimi Mitko” jo vetëm pranoi fondin e çmuar, por ndërmori edhe një gjest simbolik e të qëndrueshëm në kohë: pagëzimin e një prej sallave kryesore me emrin “Salla Petraq Peppo”, ku do të sistemohen librat e tij personalë, si një prani e përhershme e mendimit dhe përkushtimit të tij intelektual.

“Nderojmë jo vetëm një emër të madh të historiografisë shqiptare, por një njeri që i dha kuptim fjalëve dije, ndershmëri dhe qytetari. Një korçar i vërtetë, që jetoi me thjeshtësi, dinjitet dhe dashuri të pashtershme për librin, dokumentin dhe qytetin e tij.” Ky vlerësim, i shprehur nga vetë Biblioteka “Thimi Mitko”, përmbledh thelbin e figurës së Petraq Peppos: një intelektual që nuk e pa dijen si privilegj, por si shërbim.

Swiss Digital Desktop Reklama

Programi i aktivitetit ishte ndërtuar me kujdes për të reflektuar shumëdimensionin e veprës së tij. Kumtesa “Një peng nderimi për Petraq Peppon”, mbajtur nga Prof. Ali Jashari dhe Prof. Olger Brame, rivendosi në vëmendje rolin e tij në historinë e studimeve shqiptare, etikën akademike dhe ndikimin formues që ai pati mbi breza nxënësish e studentësh. Një moment veçanërisht simbolik ishte interpretimi i Himnit të Lidhjes Shoqërore “Shpresa”, shkruar nga vetë Petraq Peppo si nxënës liceu në vitin 1923, interpretuar nga nxënësja e Gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, Ema Bogdani – një urë e bukur mes rinisë së tij dhe rinisë së sotme.

Momenti më emocional i aktivitetit ishte fjala e Leonidha Peppos, djalit të profesorit, i cili solli kujtime personale dhe dëshmi të gjalla mbi përkushtimin e të atit ndaj librit, dijes dhe integritetit intelektual. Ai theksoi se Petraq Peppo mbeti deri në fund një studiues i ndershëm dhe i pavarur, që i qëndroi besnik së vërtetës historike dhe vlerave shkencore, edhe përballë presioneve apo ndikimeve që mund të komprometonin punën e tij. Në këtë frymë, familja Peppo dhuroi edhe tre botime të rëndësishme:
Kodiku i Korçës dhe Selasforot
Kanunorë të Shoqërive Shqiptare
Themistokli Gërmenji – Kujtime
Referimi mbi botimet më të rëndësishme të Prof. Peppos nga muzikologu Pandi Bello ndihmoi në një panoramë më të plotë të kontributit të tij shkencor, ndërsa ekspozita me libra, periodikë, fotografi dhe tituj nderi e shndërroi bibliotekën në një hapësirë kujtese aktive, ku jeta dhe vepra e tij flisnin përmes dokumenteve.

Leonidha Peppo gjatë fjalës së tij në aktivitetin e zhvilluar në Bibliotekën Publike “Thimi Mitko”, Korçë


Në komunikimin e tij me median “Koha Jonë”, Leonidha Peppo shprehu mirënjohjen e thellë për këtë vlerësim që Korça dhe Biblioteka “Thimi Mitko” i bënë të atit, duke e konsideruar këtë akt jo vetëm si një nderim familjar, por si një fitore të kujtesës qytetare. Vendosja e emrit të Petraq Peppos në një sallë të rëndësishme të bibliotekës e vendos përfundimisht atë në tempullin e dijes, jo vetëm me librat që la, por me shembullin që vazhdon të japë.
Ky aktivitet përkujtimor dëshmoi se mirënjohja nuk është thjesht akt ceremonial, por një proces i ndërgjegjshëm rikthimi te vlerat. Petraq Peppo, përmes veprës, integritetit dhe amanetit të tij, mbetet një figurë që Korça jo vetëm e kujton, por e mban gjallë si pjesë të identitetit të saj kulturor dhe intelektual.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?