Bien interesat e depozitave vetën 0.9% për 12-mujoret
Pas një rritjeje për disa muaj radhazi, interesat e depozitave kanë rënë sërish në mars, duke sjellë më pak fitime për të gjithë ata që vendosën të kursejnë në muajin në fjalë.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar për të gjitha afatet e maturimit për depozitat në mars ishte 0.23%, nga 0.26% që kishte qenë muajin e mëparshëm, niveli më i lartë në gati dy vjet ky.
Për depozitat 12-mujore, që janë më të preferuara për kursimtarët, interesi mesatar ka rënë nga 0.94% në shkurt në 0.9% në mars. Tkurrjen më të madhe e kanë shënuar depozitat 6-mujore, nga 0.78% në 0.58%.
Rënia e ndjeshme e interesave gjatë viteve të fundit, si rrjedhojë e politikës së ndjekur nga Banka e Shqipërisë për të bërë koston e parasë më të lirë, kishte bërë që depozituesit t’u drejtoheshin afateve më të gjata, duke i mbyllur paratë për më shumë se dy vjet, në mënyrë që të përfitonin nga interesat më të larta.
Megjithatë, edhe normat e depozitave 60-mujore kanë rënë ndjeshëm me 0.23 pikë përqindjeje, në 2.1% gjatë muajit mars.
Më të fituar kanë qenë ata që kanë zgjedhur të mbyllin paratë në banka për 48 muaj. Interesat e depozitave të reja për këtë afat u rritën ndjeshëm në mars, nga 1.55% në 3.04%.