Biletat e udhetimit ajror në Shqiperi me te shtrenjta në Europë
Mjafton një klikim në internet në faqen scyscanner për të parë skandalin e çmimeve të larta që ofrohet për pasagjerët që udhëtojnë nga Tirana drejt vendeve të tjera. Për të udhëtuar në 1 shtator nga Tirana në Mynih që zgjat 1 orë e 50 min, qytetarët duhet të paguajnë 861 euro. Ndërkohë po në të njëjtën ditë, me të njëjtën kompani fluturimi, nga Milano direkt në New York që zgjat më shumë se 9 orë udhëtimi, bileta kushton vetëm 421 Euro. 440 euro më pak. Pra New York-u 9 orë udhëtim kushton më pak se gjysma e biletës së Tiranës që zgjat vetëm për 1 orë e 50 minuta fluturim. Krahasime të tilla në internet ka pafund.
Por pse qytetarët paguajnë më shtrenjtë kur udhëtojnë nga aeroporti Nënë Tereza? Drejtuesi i nje prej agjencive turistike në vend Besnik Vathi thotë se një nga aryset është numri i pakët i kompanive ajrore që fluturojnë drejt Shqipërisë. Mjafton një krahasim i thjeshtë në aeroportin e Tiranës, ku kanë fluturime të rregullta vetëm 12 kompani ajrore që bëjnë fluturime direkte në rreth 20 destinacione. Ndërsa aeroporti i Prishtinës që i shërben një popullsie më të vogël, ka rreth 22 kompani ajrore që operojnë.
Ajo që bën që çmimi i biletave në Shqipëri të jetë ndër më të lartët në Europë janë edhe taksat e larta. Për një biletë vetëm vajtje, një qytetarë që udhëton nga Tirana paguan 26.5 euro taksa, nga 12 euro që paguan një udhëtarë nga Korfuzi.
Çmimit të kripur të biletave, përveç taksave i shtohet edhe çmimi i lartë i karburantit për avionet për shkak të ekzistencës së një operatori të vetëm aktualisht në Tirana International Airport. Çmimi mesatar i një litër nafte në aeroportin Nënë Tereza rezulton të jetë 25% më i lartë se në Paris.
Shërbimet e shtrenjta aeroportuale monopol të aeroportit të Tiranës për shkak të koncesionarit të vetëm gjerman, bëjnë që tregu shqiptar të mos jetë aspak tërheqës për kompanitë low cost dhe charter. Për këtë arsye përqendrimi i kompanive të fluturimit në pak duar, bën që çmimet në Shqipëri të jenë ndër më të lartat në rajon, Evropë dhe më gjërë./ TV KLAN