Birra- U hapet rruga të huajve, por u mbyllet vendasve

 

T’i hapësh rrugën të huajit, por t’ia mbyllësh tëndit. Kjo politikë mjaft kontradiktore duket se po gjen së fundmi vend në biznesin e birrës, teksa përmes paketës së re fiskale 2016 ai vendas përballet me një taksim të shtuar prej +11%, ndërsa ai importues me uljen -15%. Kur që të dy në fakt si biznese, edhe ai që prodhon brenda vendit dhe ai që sjell nga jashtë, ofrojnë në fund btë fundit të njëjtin produkt dhe për të njëjtin konsumator: Birrë, për shqiptarët. Domethënë, nuk kemi të bëjmë aspak me situata të ndryshme operimi në treg, që qeveria të jetë e detyruar të shtrëngojë njërin apo tjetrin lloj biznesi. Porse ajo që i ndan, duket se është barra fiskale krejt e ndryshme. Dhe çka është më absurdja, buxheti i shtetit nuk ka asnjë përfitim real financiar nga një masë e tillë. E pohojnë këtë vetë ekspertët e qeverisë në projektligjin e ri dorëzuar tashmë Kuvendit “Për Akcizat”. "Nga ndryshimi i propozuar, buxheti i shtetit nuk fiton gjë, përkundrazi, të ardhurat ulen në rreth -17 milionë lekë”, citojnë saktësisht ata. Duke pohuar në këtë mënyrë jodomosdoshmërinë (të paktën logjike dhe ekonomike) të të ndërmarrit të masës së rritjes së akcizës për birrën vendase. Sepse prodhuesit vendas të birrës, edhe mund ta mirëkuptonin këtë nismë të re fiskale të qeverisë në kurrizin e tyre, nëse do të argmentohej të paktën me mbushjen e arkës së buxhetit të shtetit. Por nëse as kjo nuk ndodh, natyrshëm që lind pyetja:

Përse një masë e tillë? Përse ky nxitim për “t’i varur një gur të ri në qafë” këtij biznesi, i cili në fakt duhet përshëndetur për kurajon që ka jo vetëm për qëndresën e tij në treg, por edhe nismat e reja investuese në të, duke dashur të jetë sa më kompetitiv ndaj birrës së huaj që hyn në vend. A mund të “neutralizohet” e gjithë kjo, vetëm me argumentin e ekspertëve të qeverisë se “me anë të kësaj mase do minimizohen abuzimet për nëndeklarimin e prodhimit vjetor”? A gjendet brenda tij edhe përgjigjia se ku ta gjejë kurajon për të vazhduar apo edhe rrezikuar më tej biznesi vendas i birrës, nëse çdo fundviti përballet me “surpriza” të tilla si rritja e taksave apo edhe pullat fiskale etj? Sikur të mos i mjaftonin efektet “ekstra” që ai ka nga produkti konkurrues të importit në tregun shqiptar, i cili gjithashtu ka të drejtën e ekzistencës së tij. E pra, në kushte të tilla, kur ky biznes gjeneron në arkën e buxhetit të shtetit, jo pak, por të paktën 10-15 milionë euro në vit taksa të paguara dhe gjeneron një normë mjaft të lartë punësimi, atëherë me të drejtë që ngre pretendimin për t’u ndjerë i mbrojtur nga shteti i tij. Teksa nuk gëzon realisht ndonjë formë subvencionimi në aspektin financiar prej shtetit, si industri në zhvillim, të paktën meriton mbështetje ndaj iniciativës që ka ndërmarrë, risqeve me të cilat përballet çdo ditë dhe në fund të fundit, imazhit që jep edhe në arenën e tregjeve të huaja përmes servirjes së produkteve “Made in Albania”. Dhe kjo e fundit, nuk është aspak e lehtë, teksa birra e importuar nga jashtë dihet se është mjaft konkurruese, pasi ajo ka ngritur prej dekadash një rrjet të fortë tregtie në tregjet e huaja, por edhe në atë shqiptar. Pse jo, edhe sepse është stimuluar nga niveli i taksimit, teksa binzesi vendas i birrës nga viti në vit është progresuar me rritje takash.

E megjithatë, ky i fundit ka guxuar. Pse jo, ka kredituar edhe shuma të konsiderueshme të financimit të tij pranë bankave, duke premtuar në vijimësi edhe investime të reja në këtë sektor, si sfidë kjo e konkurrueshmërisë së pashmangshme me biznesin e huaj. Që të gjitha këto, fakte që nuk mund të lihen pa marrë parasysh nga ekspertët e qeverisë që duhet të jenë më “open-mind” sa i përket vështirësisë me të cilat ndeshet përditë biznesi në vend. Siç ka pohuar edhe vetë presidenti i “Business Albania”-s, Luan Bregasi se “rritja e ngarkesës fiskale për këtë industri do ta bëjë më pak konkurruese atë vendase, e cila megjithë arritjet e këtyre viteve të fundit ende i ndjen vështirësitë e kostove të larta të prodhimit për shkak të shumë faktorëve krahasuar me industritë e vëndeve që importojnë këtë produkt”. Ndërsa nga ana tjetër, po sipas përfaqësuesve të biznesit të birrës vendase, argumenti i qeverisë se kjo nismë po ndërmerret për të përafruar legjislacionin shqiptar me atë të BE-së, është është një nismë ende e hershme në kohë, pasi sipas tyre, biznesi vendas është ende në fillimet e veta pavarësisht stadeve që ka arritur. Qëndrime këto, të cilat janë marrë në mbrojtje së fundmi edhe nga deputetë të LSI-së, sipas të cilëve, e gjitha kjo që po ndodh, mund të jetë “absurditet ose lapsus”.

“Qeveria i ngre akcizën birrës vendase ndërsa birrës së importit ia ul. Efekti në buxhet duket qartë që do të jetë zero, do të kemi vetëm falimentim të fabrikave vendase dhe mbyllje të tyre dhe qindra shqiptarë që punojnë në to, do mbeten pa punë”, ka cilësuar deputetja Silva Caka. Pasuar edhe nga kolegu i saj, Përparim Spahiu, i cili shpreson që rreth kësaj të reflektohet në komisionin parlamentar të Ekonomisë.. Njësoj në fakt, si të gjithë prodhuesit vendas të birrës, të cilët edhe pse u pyetur, tashmë janë përballur me këtë nismë të qeverisë dhe nuk u mbetet gjë tjetër veçse të shpresojnë që Kuvendi të mos e marrë parasysh atë. Përndryshe, i pret sërish një vit i vështirë pune, me taksa të shtuara dhe me impenjimin e vazhduar për t’u përsosur në treg, për të qenë korrekt me shtetin duke paguar deri më një detyrimet, por edhe me qindra punonjësit në rang vendi, duke u dhënë atyre bukën e përditshme, për vete dhe familjet e tyre.

SHKARKO APP