Biznemeni i Vitit, Samir Mane
Samir Mane: “Një çmim që më bën të ndihem akoma më shumë i privilegjuar”
Biznesmeni Samir Mane u zgjodh nga lexuesit e “Koha Jonë” si “Biznesmeni i Vitit”. Në një prononcim për gazetën, ai shprehet se çmimi është një vlerësim i veçantë që i bëhet punës së tij. “Për këdo është një kënaqësi që të marrë vlerësime për punën e bërë dhe për atë që falë punës ka arritur. E njëjta gjë vlen edhe për mua. Ndihem i lumtur që “Koha Jonë” më ka veçuar mua ndër shumë biznesmenë të tjerë shqiptarë. Ky çmim vlen akoma më shumë kur të bëhet nga një media që shquhet për qëndrimet kritike karshi të gjithëve. Kjo e bën akoma më të veçantë këtë si organizim dhe më bën të ndihem akoma më shumë i privilegjuar. Falënderoj lexuesit që kanë bërë vlerësimet në gazetën “Koha Jonë” për këtë çmim”, – u shpreh dje biznesmeni i njohur Samir Mane.
*****************
Samir Mane, President i Grupit BALFIN
Z. Samir Mane është President i Grupit BALFIN. Balkan Finance Investment Group është ndër grupet më të mëdha në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit. Portofoli i investimeve të Grupit përfshin aktivitete në fushën e pasurive të paluajtshme, shitjeve me pakicë, manaxhimin e ambienteve industriale dhe tregtare, minierave dhe metalurgjisë, telekomunikimeve, etj. Aktualisht pjesë e Grupit BALFIN janë mbi 18 kompani dhe është i pranishëm në 7 shtete të ndryshme duke punësuar rreth 3000 persona. I lindur në Korçë në vitin 1967, pasi mbaroi studimet në gjimnazin e qytetit vazhdoi studimet në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Gjeologji-Minierave.
Pas rënies së komunizmi, ashtu si shumë studentë të tjerë, z. Samir Mane emigroi jashtë vendit duke shkuar në Austri, Vjenë. Aty njohja e disa gjuhëve të huaja i krijoi përparësi të mëdha dhe e ndihmoi që të punësohej si përkthyes. Kjo punë i krijoi mundësi shumë të mira për të njohur e për t’u prezantuar me njerëz të fushës së biznesit dhe për të parë nga afër si operonin shumë biznese në perëndim. Gjatë këtyre takimeve dhe njohjeve u zhvillua edhe ideja shoqëruar me ambicien për të krijuar në Shqipëri një rrjet dyqanesh që do të sillnin për shqiptarët teknologjinë më të fundit.
Që nga viti 1993, pas themelimit të shoqërisë Alba Trade, ai u kthye në Shqipëri për të realizuar ëndrrën e tij. Kështu, dyqani i parë i Neptun u hap në Tiranë në vitin 1993. Në një periudhë shumë të shkurtër kohore rrjeti i Neptun u zgjerua edhe në qytetet e tjera kryesore të Shqipërisë. Ndërsa gjatë viteve të fundit Neptun është shndërruar në një emër të rëndësishëm të shitjeve me pakicë të pajisjeve elektronike edhe në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë dhe Serbi, duke e kaluar biznesin në nivel rajonal.
Në vitin 2002, z. Mane vendosi që ishte momenti i duhur për ta diversifikuar biznesin e aktiviteteve të tij edhe në industrinë e ndërtimit. Shoqëria e krijuar prej tij, Mane TCI, prezantoi standarde të reja në ndërtim përsa i përket cilësisë si në ndërtimet civile ashtu edhe në ato industriale. Sot kompania e krijuar nga z. Mane është një ndër më të mëdhatë në vend duke realizuar projekte si komplekse rezidenciale vilash, apartamentesh, resorte turistike, ndërtesa industriale, godina tregtare, etj..
Z. Samir Mane ishte përsëri i pari që pa një mundësi për të transformuar mënyrën e blerjeve në Shqipëri duke hapur qendrën e parë tregtare në vend. Në vitin 2005 u përurua QTU, Qendra Tregtare Univers. Edhe sot e kësaj dite QTU përfaqëson qendrën tregtare më popullore në Shqipëri me numrin më të madh të vizitorëve. Pas suksesit të qendrës së parë tregtare, z. Mane vendosi që tregu ishte i gatshëm për një qendër të dytë tregtare. Në vitin 2011 u përurua qendra e dytë tregtare Tirana East Gate, e ndjekur nga një qendër tjetër por kësaj here në Maqedoni, Skopje City Mall.
Kategoria e shitjeve me pakicë u përforcua më tej brenda Grupit BALFIN pas hapjes së rrjetit të supermarketëve Euromax, rrjetit më të madh të supermarketeve në Shqipëri. Po në vitin 2005 filloi aktivitetin edhe Fashion Group, aktualisht shoqëria më e madhe e shitjeve me pakicë të veshjeve duke përfshirë 10 marka ndërkombëtare si Prenatal, Mango, Springfield, etj. Z. Samir Mane revolucionarizoi tregun e blerjeve me pakicë në Shqipëri duke prezantuar standardet europiane dhe duke edukuar sjelljen e blerësve.
Pas risisë së qendrave tregtare z. Mane nisi një tjetër projekt ambicioz që përfaqëson gjithashtu një risi, Tirana Logistic Park. Ky është i vetmi park logjistik në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhenjtë në rajonin e Ballkanit që ofron shërbime të plota logjistike për të gjitha kategoritë e bizneseve. Faza e parë e projektit u përurua në vitin 2013 dhe aktualisht TLP ofron shërbime të plota.
I ndikuar pak edhe nga studimet e hershme për gjeologji-miniera, z. Mane vendosi të ndërmerrte një hap tjetër të guximshëm në biznes. Në fillimin e vitit 2013 ai bleu 100% të aksioneve të shoqërisë më të madhe të nxjerrjes dhe përpunimit të kromit, AlbChrome, duke e shpëtuar nga falimentimi dhe duke ruajtur vendet e punës për më shumë se 850 punonjës. Pas blerjes e gjithë shoqëria AlbChrome iu nënshtrua një rivitalizimi tërësor duke aplikuar standarde të reja në manaxhim, të njëjta si në të gjitha shoqëritë e tjera të Grupit BALFIN. Sot AlbChrome jo vetëm që i shpëtoi falimentimit por falë investimeve në projekte të mëdha si hapja e furrave të reja për prodhimin e ferro-kromit apo hapja e pusit të ri në minierën e Bulqizës është shndërruar në një prej shoqërive më të rëndësishme në industrinë minerale në Europë.
Jo rastësisht z. Mane është konsideruar nga shumë ekspertë të ekonomisë dhe media ndërkombëtare si një nga biznesmenët më të rëndësishëm në rajonin e Ballkanit dhe një nga personat me më shumë ndikim në ekonominë shqiptare.