Bizneset e vogla, si do t’u llogaritet tatim-fitimi sivjet?

Fillimi i këtij viti, i gjen të gjitha bizneset e vogla me një formulë të re të përllogaritjes së tatimit mbi fitimin për vitin fiskal 2014. Dhe kjo, për shkak të ndryshimeve që janë bërë në shkallën tatimore të këtyre biznesëve. Kështu, sipas një udhëzimi të posaçëm të hartuar nga ministria e Financave, realizohen ndryshime në atë ekzistues të vitit 2013 “Për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël”. Të përfshira tashmë në paketën e re fiskale për vitin 2015, duke nisur që nga data 1 janar e këtij viti ato janë kthyer në të detyrueshme për kategorinë e biznesit të vogël. Ku kjo e fundit kujtojmë se është pikërisht ajo që përfshin bizneset të cilat deklarojnë një qarkullim vjetor nga 2 deri në 8 milionë lekë. Ja çfarë parashikon konkretisht udhëzimi për llogaritjen e re të tatim-fitimit:

 

Shkalla tatimore
Për tatimpaguesit, subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim vjetor nga 2 deri në 8 milionë lekë, aplikohet shkalla tatimore 7.5% mbi fitimin e tatueshëm. Fitimi i tatueshëm nënkupton fitimin neto, pra diferencën e të ardhurave bruto me shpenzimet e zbritshme të biznesit, siç përcaktohet në ligj dhe në këtë Udhëzim. Në çdo rast, për çdo tatimpagues dhe lloj veprimtarie, tatimi i llogaritur për këtë kategori, nuk mund të jetë më i vogël se 25.000 lekë në vit, ose jo më e vogël se pjesa e proporcionale e vlerës prej 25.000 lekë për periudhën e kryerjes së veprimtarisë, kur tatimpaguesit regjistrohen, çregjistrohen apo kalojnë në regjistrin pasiv, gjatë vitit. Kurse për tatimpaguesit, subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim vjetor nga 0 deri në 2 milionë lekë, kuota fikse e tatimit është 25.000 lekë në vit ose sa shuma proporcionale e tatimit fiks për periudhën e kryerjes së veprimtarisë, kur tatimpaguesit regjistrohen, çregjistrohen apo kalojnë në regjistrin pasiv, gjatë vitit.

 

Parapagimi i detyrimit tatimor

Parapagimi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin nga tatimpaguesit me qarkullim nga 2 deri në 8 milion lekë, bëhet i ndarë në katër këste tremujore gjatë vitit. Llogaritja e detyrimit tatimor dhe e kësteve tremujore për vitin vijues, bazohet në të dhënat e “Formularit të Deklarimit të Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin” të vitit paraardhës, që është bashkëngjitur këtij Udhëzimi dhe pjesë përbërë e tij. Pra katër këstet e detyrimit tatimor të vitit vijues, llogariten duke marrë në konsideratë fitimin e deklaruar dhe tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e llogaritur nga tatimpaguesi për vitin paraardhës. Këstet e parapagimeve të përcaktuara mbi këtë bazë u njoftohen tatimpaguesve të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, brenda datës 1 prill të çdo viti. Kurse pagimi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin nga tatimpaguesit me qarkullim nga zero deri në 2 milion lekë, bëhet në formën e detyrimit tatimor mbi shumën fikse në masën prej 25.000 lekësh në vit. Ky detyrim u njoftohet tatimpaguesve të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, brenda datës 1 prill të çdo viti. Pagesa e detyrimit tatimor në shumën 25 000 lekë për këtë kategori tatimpaguesish, kryhet brenda gjashtëmujorit të parë të çdo viti. Nëse tatimpaguesit, subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, të cilët realizojnë qarkullim vjetor në intervalin nga zero deri në 2 milionë lekë, regjistrohen si tatimpagues e fillojnë veprimtarinë e tyre ekonomike gjatë gjysmës së dytë të vitit, pra në periudhën korrik- dhjetor, ato e paguajnë detyrimin e tyre tatimor fiks të përcaktuar në bazë të proporcionalitetit, brenda datës 20 dhjetor të atij viti. Kështu, tatimpaguesi i regjistruar në muajin tetor të vitit vijues, i cili parashikon se do të realizojë një qarkullim vjetor nga zero deri në 2 milionë lekë, paguan tatimin e thjeshtuar mbi fitimin në proporcion me muajt e vitit që ka kryer aktivitet tregtar. Në këtë rast, tatimi për t’u paguar nga tatimpaguesi do të jetë 25.000 lekë shumëzuar me raportin 3/12 (6 250 lekë).

 

Afatet e pagesës së kësteve

Këstet e parapagimeve të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, të llogaritura si më sipër për vitin ushtrimor, paguhen nga tatimpaguesit në afatet e mëposhtme: • brenda datës 20 prill për tremujorin e parë, • brenda datës 20 korrik për tremujorin e dytë,
• brenda datës 20 tetor për tremujorin e tretë, • brenda datës 20 dhjetor për tremujorin e katërt.

 

 

RREGULLAT

 

Periudha për të cilën

llogaritet detyrimi tatimor

 

Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin deklarohet dhe paguhet për periudhën gjatë së cilës tatimpaguesi ka ushtruar veprimtari ekonomike. Në rastet kur veprimtaria e biznesit hapet, mbyllet apo pezullohet gjatë vitit fiskal, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, llogaritet në mënyrë proporcionale me kohën e ushtrimit të veprimtarisë, mbështetur në vetëdeklarimin e tatimpaguesit. Në rastin kur tatimpaguesi, subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit te vogël, regjistrohet për herë të parë gjatë vitit, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin llogaritet në bazë të qarkullimit dhe të fitimit të tatueshëm, të parashikuar nga vetë tatimpaguesi, për periudhën nga data e regjistrimit deri në fund të vitit të parë kalendarik.

 

 

 

SHEMBUJ:


1. Nëse në fund të vitit fiskal 201X, tatimpaguesi realizon një qarkullim vjetor prej 2.800.000 lekë dhe fitimi i tij i tatueshëm është 200.000 lekë, atëherë detyrimi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin është vlera më e lartë midis shumës fikse prej 25.000 lekë dhe shumës së llogaritur të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin prej 15.000 lekë (7.5% x 200.000 lekë).

 

                                                ***

2.Tatimpaguesi X, i regjistruar si biznes i vogël me veprimtari në fushën e tregtisë me pakicë të artikujve ushqimore, ka dorëzuar deklaratën e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për vitin 2014. Shuma e fitimit neto të deklaruar është 800.000 lekë. Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin i llogaritur dhe i deklaruar për vitin 2014 është: 800.000 lekë x 7,5 % = 60.000 lekë.

Për vitin 2015, shuma e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin që tatimpaguesi duhet të paguajë në formë parapagimesh do të jetë 60.000 lekë, e ndarë në katër këste:

• brenda datës 20 prill, 15.000 lekë,
• brenda datës 20 korrik, 15.000 lekë,
• brenda datës 20 tetor, 15.000 lekë dhe,
• brenda datës 20 dhjetor, 15.000 lekë.

 

                                                ***

3.Nëse tatimpaguesi X regjistrohet në QKR dhe në administratën tatimore në datën 1 korrik 2014, dhe deklaron se për periudhën e mbetur të vitit do të realizojë një fitim prej 1.200.000 lekë, ai do të llogarisë 1.200.000 x 7,5 % = 90.000 lekë tatim të thjeshtuar mbi fitimin, të ndarë në dy këste për tremujorin e tretë dhe për tremujorin e katërt, të cilët do të paguhen :

• brenda datës 20 tetor, 45.000 lekë dhe,
• brenda datës 20 dhjetor, 45.000 leke.

Kur tatimpaguesi e fillon aktivitetin e tij gjatë një muaji, ky muaj llogaritet si muaj i plotë për efekt të përcaktimit të detyrimit tatimor. Kështu, nëse tatimpaguesi regjistrohet për herë të parë në 20 Korrik të vitit vijues, tatimi i thjeshtuar i fitimit për t’u parapaguar brenda vitit do të përpjesëtohet me 6/12. Në të njëjtën mënyre si më sipër në këtë pikë, veprohet edhe në rastet kur tatimpaguesi çregjistrohet apo kalon në regjistrin pasiv të tatimpaguesve.

 

SHKARKO APP