Bizneset, si do të kontrollohen nga Tatimet!

Administrata tatimore pritet të nisë një aksion në shkallë të gjerë për mbledhjen e të ardhurave, pasi shifrat e gjysmës së parë të vitit 2015 ishin shqetësuese. Ekspertët e tatimeve kanë hartuar një dokument ku do të bazohen lëvizjet e ardhshme të administratës, duke synuar më tepër kontroll ndaj sipërmarrjeve. “Përvoja ka treguar shumë qartë kudo, se dy janë rrugët për të mbajtur në nivele dhe parametra të pranueshëm mospërmbushjen dhe evazionin e mashtrimet fiskale dhe se të dy këto rrugë janë të barazvlefshme për nga rëndësia dhe kompletojnë njëra-tjetrën. Por çdo strategji e përmbushjes fillon dhe fokusohet së pari te përmbushja vullnetare, shoqëruar kjo në të njëjtën kohë me kontrolle rigoroze të selektuar me kujdes mbi bazë risku”, thuhet në dokumentin e administratës tatimore.

Dokumenti i administratës tatimore

“Për të mbajtur në nivele e parametra të pranueshëm mospërmbushjen dhe evazionin e mashtrimet fiskale, rruga tjetër është ajo e forcës nëpërmjet kontrolleve rigoroze të selektuar me kujdes mbi bazë risku. Edhe pse shumica e tatimpaguesve mund të ndihmohen dhe të nxiten për t’i përmbushur detyrimet e tyre, do të ketë kurdoherë nga ata, të cilët nuk dëshirojnë t’i përmbushin detyrimet dhe vendosin të përpiqen t’u shmangen atyre. Këto grupe tatimpaguesish, jo vetëm që ulin të ardhurat tatimore të buxhetit të shtetit, por përbëjnë edhe një rrezik afatgjatë ndaj financave të vendit, nëse nuk ndiqen me vendosmëri.

Administrata tatimore po bën të gjitha përpjekjet qe t’i përgjigjet kësaj sfide dhe të punojë për të penalizuar të gjithë ata që nuk i përmbushin detyrimet e tyre. Synimi është, jo vetëm rikuperimi i të ardhurave fiskale të humbura, por edhe bindja e subjekteve të tjera, të cilëve mund t’u shkojë ndër mend të bëjnë evazion fiskal, se nuk ia vlen rreziku që marrin përsipër duke bërë evazion. Kjo do të thotë që administrata tatimore duhet të dijë të dëshmojë që po i ndjek me vendosmëri tatimpaguesit mospërmbushës dhe se do t’i detyrojë ato të përmbushin detyrimet e tyre. Pra ajo nëpërmjet veprimeve konkrete të saj duhet të japë qartë mesazhin se nuk do të tolerojë evazionin e qëllimshëm tatimor të çfarëdolloji.

Kjo qasje e përmbushjes me forcë të detyrimeve, lidhet edhe me konceptin e ri të menaxhimit të riskut të përmbushjes, apo thjesht i menaxhimit të riskut. Administrata tatimore po përqendrohet në ata sektorë të ekonomisë dhe ato segmente të tatimpaguesve të cilët përbëjnë riskun më të madh ndaj përmbushjes. Synimi ynë është të identifikohen të gjitha risqet dhe të zbatohen strategji e procedura të cilat, hap pas hapi do t’i zvogëlojnë dhe eliminojnë ato. Menaxhim efektiv dhe efikas i riskut, do të thotë që të vlerësohen risqet dhe të merren vendime se cila është ndërhyrja më e përshtatshme për secilin tatimpagues, për secilin segment të tatimpaguesve, apo për secilin sektor të ekonomisë.

Në planet tona ambicioze për reformimin e administratës tatimore, më kryesori është ai për modernizimin e strategjisë së pajtueshmërisë, përmes së cilës synojmë të ndëshkojmë me forcën e ligjit të gjithë ata që nuk pajtohen me zbatimin vullnetar të legjislacionit apo kanë një kundërshtim të zbatimit, që shkon në nivelet e evazionit tatimor. Në këtë mënyrë ne do të mund të jemi në gjendje për të përmbushur edhe prioritetet e qeverisë në fushën e tatimeve për ruajtjen e stabilitetit fiskal afatgjatë, rritjen e aktivitetit ekonomik të vendit, nxitjen e konkurrencës së drejtë e të ndershme dhe ofrimin e mjedisit të përshtatshëm për biznesin dhe për investimet e huaja.

Një nga problemet më delikat e serioz, me të cilin përballet vazhdimisht çdo administratë, është evazioni dhe mashtrimi fiskal. Evazioni fiskal është shkelje e ligjit e kryer me qëllimin për t’i shpëtuar tatimit ose për të pakësuar shumën e tij. Kjo shkelje supozon bashkimin e tre elementeve, të elementit legal të mosrespektimit të të drejtës fiskale, të elementit material të evitimit shumës së tatimit që duhet paguar dhe të elementit moral të fajit të qëllimshëm. Evazioni fiskal është i vështirë për t’u matur. P

or pavarësisht shifrave, e sigurtë dhe e pamohueshme është që në vendet tona ai mbetet i lartë dhe sipas disa vlerësimeve në Shqipëri ai e kalon nivelin 30-35 përqind. Shprehje e qartë për këtë është ngarkesa fiskale (raporti i të ardhurave tatimore ndaj GDP-së) tepër e ulët në vendin tonë krahasuar me vendet e tjera. Ky tregues, për vendet e OECD-së është rreth 35-38 përqind. Boshllëku jonë prej disa pikë përqindje, lidhet ndër të tjera edhe me sektorin relativisht të madh bujqësor, sektor i cili zakonisht pozon vështirësi serioze për sistemet tatimore në vendet në zhvillim. Megjithatë, edhe pas korrigjimit të madhësisë së sektorit bujqësor, boshllëku i të ardhurave tatimore në vendin tonë krahasuar me vendet e tjera mbetet i rëndësishëm”.

Faktorët kryesorë të boshllëkut

Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe të ardhurat nga tatimi mbi pasurinë janë tre faktorët më të spikatur që çojnë në boshllëkun tatimor të vendit tonë në krahasim me vendet e tjera. Domethënës është sidomos fakti lidhur me mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ku vendi ynë arrin të sigurojë çdo vit vetëm mesatarisht 4 përqind të ardhura ndaj GDP-së, ndërkohë që në vendet e tjera sigurohen shumë më tepër. Pra vetëm në këtë zë të ardhurash vendi ynë është disa pikë përqindje më poshtë dhe diferenca tjetër është në tatimin mbi pasurinë dhe në tatimin mbi të ardhurat personale. Kjo do të thotë në mënyrë shumë evidente se evazioni më i rëndësishëm tatimor është pikërisht në këto lloj të ardhurash, pa anashkaluar llojet e tjera të të ardhurave tatimore ku gjithashtu ka evazion domethënës.

Skemat e evazionit dhe mashtrimet tatimore

“Evazioni dhe mashtrimet tatimore janë të disallojshme. Tek ne ato nuk janë shumë të sofistikuar, jo si mashtrimet dhe marifetet financiare që mund të gjesh në vendet e zhvilluara. Ai fillon thjesht me mosdhënien e faturave dhe kuponave tatimorë të pajisjeve fiskale dhe me mosmbajtjen në mënyrë korrekte të llogarive dhe të bilancit kontabël. Një numër tatimpaguesish mbajnë dy libra regjistrimi të transaksioneve të biznesit. Njëri, për të regjistruar biznesin e vërtetë dhe tjetri për t’u paraqitur tek administrata tatimore, duke përdorur njëkohësisht edhe dy regjistra arke.

Kjo është forma më e përhapur e evazionit fiskal, por nga ana tjetër edhe format e tjera më të sofistikuara të tij po bëhen gjithnjë e më prezente. Rastet e fundit të zbuluara në sajë të një pune të përkushtuar të kohëve të fundit që kanë të bëjnë me kompani fiktive që krijohen vetëm për të lëshuar fatura të rreme tatimore me TVSH flasin për evazion fiskal të tipit “carrusel” edhe tek ne. Zbulimi i këtyre skemave bëri që të futen në arkën e shtetit miliona lekë të ardhura, por mbi të gjitha ai është një mesazh i fortë për tatimpagues të tjerë të ngjashëm se këto forma evazioni në të ardhmen do të zbulohen dhe penalizohen ashpër.

Por forma më shumë e përhapur dhe më e dukshme e evazionit fiskal tek ne shfaqet nëpërmjet ekonomisë informale të bizneseve të paregjistruara në administratën tatimore, nëpërmjet mosdeklarimit të saktë të numrit të punonjësve dhe nëpërmjet nëndeklarimit të pagave të tyre. Në veçanti tregu i punës ka pësuar ndryshime të mëdha, transformimi ekonomik ka shkaktuar ndryshime esenciale në strukturën e sektorëve të prodhimit dhe të punësimit. Aktiviteti ekonomik i sektorit informal bashkëjeton me sektorë të strukturuar, madje në disa raste ai konkurron me sukses. Janë evidente rastet kur sektori informal furnizon me lëndë të parë apo shërbime të ndryshme aktivitetet prodhuese dhe furnizon produkte të gatshme në treg duke lehtësuar dhe inkurajuar kështu evazionin fiskal. Lufta ndaj këtyre fenomeneve që çojnë në fshehje dhe evazion fiskal, kërkon vullnet të qartë, kërkon organizim të mirë, përkushtim, përgjegjshmëri dhe integritet moral të punonjësve përkatës të administratës tatimore

Në shërbim të procesit jo të lehtë të përmirësimit të luftës kundër evazionit dhe mashtrimeve fiskale, së shpejti do të jetë edhe implementimi i një sistemi të ri të TI-së, i cili  është një investim tek e ardhmja, pasi do t’iu japë një mbështetje të madhe proceseve të rritjes së të ardhurave të mbledhura dhe administrimit të borxhit, një administrimi më të mirë të regjistrit të tatimpaguesve dhe do të ofrojë një platformë për një analizë shumë më të përmirësuar të riskut në kuadër të së cilës, të gjithë sektorët ekonomikë dhe bizneset mund ti nënshtrohen matjes së riskut dhe renditjes sipas nivelit të taksave të rrezikuara për shkak të evazionit.

Një avantazh i rëndësishëm i sistemit të ri të TI-së do të jetë kapaciteti i tij për ta bërë më transparent administrimin tatimor. Sistemi do të përfshijë administrimin elektronik të rasteve, që është një tipar i cili i lejon drejtuesit mbikëqyrës të shohin saktësisht cila është situata aktuale. Përveç rritjes së efikasitetit, do të reduktohet hapësira për sjellje joetike nga ana e punonjësve të administratës tatimore. Qasja në administrimin e përmbushjes tatimore mund të mbështetet nga modele të reja risku, të konceptuara si pjesë e projektit të TI-së. Aktualisht, kemi një model risku që është i veçuar nga sistemi i TI-së, është kompleks për t’u përditësuar dhe nuk është shumë transparent. Ai ka vlerë për orientimin e veprimeve të përmbushjes, por logjika e tij është e paqartë në disa fusha.

Sistemi i ri i TI-së ofron një mundësi për të ndërtuar profile më të mira rreziku, për industri të tëra apo për çdokënd që mendohet se përdor një metodë specifike për të shmangur taksat. Modeli i ri i riskut do të sjellë rritje të efektivitetit, krahasuar me përdorimin e tij thjesht për matjen e renditjen sipas riskut të tatimpaguesve. Kjo nënkupton se administrata tatimore do të jetë në gjendje të përqendrohet te rreziqet më të mëdha, që mund të identifikohen duke zbatuar rregulla objektive që tregojnë atë çka nuk shkon. Kjo është një metodë në favor të biznesit, që vendos në qendër evazionin e rëndë tatimor, dëshmon ndershmërinë e sistemit tatimor dhe lehtëson shumë tatimpagues nga barra e kontrolleve të zgjedhura jo mirë.

Në këtë mënyrë do të kemi mundësi të rishikohen aspekte të strukturës për analizën e riskut, e cila do të kërkojë e lehtësojë një qasje më strategjike dhe analitike sa i përket administrimit të tij.  Kur sistemi i ri i TI-së të jetë gati, do të duhet të merret në konsideratë shkrirja e komponentëve të ndryshëm të administrimit të përmbushjes në një drejtori të re risku dhe krijimi i një sektori të ri strategjik brenda kësaj drejtorie, i cili do të shqyrtojë sistematikisht rreziqet që lindin në ekonominë shqiptare e të propozojë masa për këtë. Ky riorganizim i komponentëve të përmbushjes mund të kryhet si pjesë e një rishikimi më të gjerë i cili mund të identifikojë nëse duhet një racionalizim i strukturave rajonale, nëse burimet janë në përputhje me shpërndarjen e riskut dhe numrin e tatimpaguesve, nëse disa funksione si vlerësimi, mbledhja dhe kontabilizimi janë të tilla që mund të centralizohen në një zyrë të vetme qendrore në shkallë vendi”.

SHKARKO APP