Biznesi i vogël, Tatimet: Procedurat, si kryhet regjistrimi
Të gjitha subjektet tregtare, që realizojnë një qarkullim më të vogël se 8 milion lekë në vit, pavarësisht nga forma ligjore e organizimit që kanë, konsiderohen si “Tatimpagues të Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin”.
Në rubrikën “Tatimet këshillojnë” u publikua “Regjistrimi si Tatimpagues i Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin” (Biznesi i Vogël), që sqaron në detaje mënyra e regjistrimit, përgjegjësitë tatimore, kategoritë e punësimit, datat e deklarimit, si edhe detyrimet që lindin pas regjistrimit apo kalimi në regjistrin pasiv deri në ç’regjistrimin tatimor.
Regjistrimi në QKB
- Vendi i regjistrimit është Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB).
- Personat e regjistruar pajisen me numër identifikimi unik (NIPT), i cili shërben si numër i identifikimit tatimor të tyre, për tatimet kombëtare dhe vendore.
- Regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit shërben njëkohësisht si regjistrim në Administratën Tatimore, si dhe në skemat e sigurimit shoqëror e shëndetësor të Inspektoratit të Punës dhe organeve doganore.
- Mbas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tatimpaguesi është i detyruar informojë dhe rakordojë me Administratën Tatimore llojet e tatimeve e taksave (përgjegjësitë tatimore) që duhet të deklarojë dhe paguajë.
Përgjegjësitë Tatimore të Tatimpaguesve të Biznesit të Vogël Me përgjegjësi tatimore, kuptohet lloji i tatimit që është i detyruar të paguajë tatimpaguesi.
- Përgjegjësi të përhershme tatimore.
- Tatim Fitimi i Thjeshtuar,
- TVSH (Për qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë si dhe disa profesione të veçantë)
- Kontributet e Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësore,
- Përgjegjësi tatimore në varësi të kushteve e veprimtarisë ekonomike.
- Tatimi në Burim (në varësi të një pagese të kryer)
- Taksë Nacionale (nëse tatimpaguesi është objekt i saj)
- Renta Minerare (nëse tatimpaguesi është objekt i saj)
- Tatim i të ardhurave nga punësimi (nëse ka punëmarrës)
Kategoritë e punësimit për efekt të kontributeve të sigurimeve
“I vetëpunësuar” është një tatimpagues i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe në organet tatimore si “person fizik.
Statuset e mundshme të personit fizik janë:
– I vetëpunësuar i vetëm.
– I vetëpunësuar me punëmarrës.
– I vetëpunësuar me punëmarrës dhe punonjës të papaguar të familjes.
– I vetëpunësuar pa punëmarrës, me punonjës të papaguar të familjes.
Kalendari Tatimor/datat e deklarimit
– Deklarata Vjetore e të ardhurave deri datë 10 shkurt i viti pasardhës
– TVSH deri datë 14 të muajit pasardhës
– Sigurime shoqërore e shëndetësore, deri datë 20 të muajit pasardhës të tremujorit
– Tatimi në Burim, deri në datë 20 të muajit pasardhës
– Taksë Nacionale nëse je objekt i saj, deri datë 15 të muajit pasardhës
– Renta Minerare nëse je objekt i saj deri datë 15 të muajit pasardhës
– Tatim i të ardhurave nga punësimi deri datë 20 të muajt pasardhës të tremujorit
– Këste të Tatimit Thjeshtuar mbi Fitimin deri datë 20 të muajt pasardhës të tremujorit
Afatet e deklarimit janë të përcaktuara në ligj dhe çdo muaj shfaqen në kalendarin tatimor në faqen online të tatimeve www.tatime.gov.al.
DETYRIMET PAS REGJISTRIMIT
Deklarimi
Në momentin final të regjistrimit si tatimpagues i biznesit të vogël, lind automatikisht detyrimi për deklarimin e deklaratave dhe dokumenteve të tjera tatimore. Deklarimi bëhet vetëm nëpërmjet rrugës elektronike. Tatimpaguesi duhet të jetë i kujdesshëm në respektimin e afateve të deklarimit elektronik pasi në rast të kundërt penalizohet.
- Mbajtja e dokumentacionit
Kryesisht ligjet tatimore, kërkojnë mbajtjen e dokumentacionit si më poshtë
- Librat e shitjes dhe të blerjes, për tatimpaguesit e TVSH-së, deklarohen on-line në faqen zyrtare të tatimeve në linkun “TATIMET E MIA”.
- Fatura e thjeshtë tatimore, e cila tërhiqet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore.
- Kuponi tatimor është dokumenti i lëshuar me anë të pajisjeve fiskale.
- Libri i shpenzimeve dhe të ardhurave.
- Libri i aktiveve te biznesit.
- Deklaratat tatimore; deklarohen on-line ne faqen zyrtare te tatimeve ne linkun “TATIMET E MIA”.
Përditësimi i të dhënave të regjistrimit
Ndryshimet në QKB:
- ndryshimi i emrit;
- ndryshimi i adresës se veprimtarisë;
- ndryshimi i statusit ligjor;
- krijimi/mbyllja e adresave dytësore, sektorëve ose njësive të reja;
- ndryshimi i llojit të veprimtarisë ekonomike; etj
- ndryshimi i të dhënave vullnetare (tel. adresë, email, etj)
Ndryshimet në Administratën Tatimore:
Pranë Administratës Tatimore, tatimpaguesit mund të ndryshojnë:
- përgjegjësitë tatimore (llojin e një detyrimi tatimor);
- kategorinë e punësimit për efekt të kontributeve të sigurimeve
shoqërore.
Kalimi në regjistrin pasiv
Administrata tatimore kalon tatimpaguesin nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv kur për një periudhë 12 mujore:
– nuk ushtron më veprimtari tregtare;
– nuk dorëzon deklaratën tatimore;
– deklaron pezullim veprimtarie tregtare,
Ç‘regjistrimi tatimor
Aplikimi për ç‘regjistrim për subjektet tregtare, kryhet pranë QKB-së.
- Subjektet e regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, ç‘regjistrohen pasi të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore të papaguara dhe pasi të kenë paraqitur të gjitha deklaratat tatimore si dhe pasqyrat financiare përmbyllëse. Ç‘regjistrimi nuk eliminon detyrimin tatimor që ka lindur para datës së ç‘regjistrimit.