Blerja e apartameve, si të shmangi mashtrimin
Çdo qytetar që kërkon të blejë një apartament në ndërtim e sipër, referuar një kontratë sipërmarrjeje, mund të bjerë fare lehtë viktimë e mashtrimit nga ndërtuesit.
Kjo pasi në Shqipëri nuk ekziston një regjistër për lejet e ndërtimit, në të cilin noterët të verifikojnë nëse objekti është shitur më parë apo jo.
Kryetarja e Dhomës së Noterisë, Mimoza Sadushi shprehet se tek noteri bëhet thjesht një kontratë shitjeje që verifikon palët, por nuk ofrohet një sistem ku të kontrollohet nëse ka patur shitur të mëparshme.
"Si Dhomë Kombëtare kemi kërkuar që të realizohet, që në raste organet kompetente lëshojnë lejet e ndërtimit të regjistrohen diku, me gjithë projektet.
Me këtë rast, noteri përpara se të përpilojë kontratën bën një verifikim të apartamentit që do të prenotohet nëse është i lirë ose jo dhe më pas noteri përpilon kontratën dhe më pas ajo të çohet dhe noterizohet në këtë zyrë, në mënyrë që qytetarët të jenë të garantuar për pronën që prenotojnë", thotë Sadushi.
Vetëm për 2014 gati 100 qytetarë në Tiranë, ranë pre mashtrimeve të tilla, ku i njëjti apartament u është shitur disa personave
"Ne nuk e verifikojmë dot nëse një apartament është shitur më parë. Me të pasur mundësinë e verifikimit në një regjistër, atëherë noterët janë të sigurtë në dokumentin që noterizojnë", thotë Sadushi.
Rasti më i fundit kur Prokuroria mbylli hetimet për mashtrim bën fjalë për administatorin e firmës "Drini", Hajdin Zyberajn, i cili dyshohet se ka mashtruar 36 qytetarë sipas një skeme të tillë.
Gjatë një intervistës prokurorja Ida Ahmetliu shprehet:
"Hetimi i rasteve të mashtrimit, sidomos në ndërtime ka qenë një nga kërkesat speficike që Prokurori i Përgjithshëm që ka paraqitur para trupës së prokurorëve në Tiranë.
Hetimi i këtyre veprave penale është specifik, pasi qytetarët kanë shpenzuar të gjithë kursimet e jetës së tyre, me qëllim për të blerë një banesë, një dyqan dhe në fund zbulojnë që jo vetëm janë mashtruar, por kanë humbur të gjithë kursimet e jetës së tyre.
Në rastin e ndërtimeve këto raste paraqesin sensibilitet maksimal, pasi numri i personave të dëmtuar mund të jetë 10, 20 ose edhe më shumë". /TCH/