Bonot dhe obligacionet – Individët nuk do të marrin më pjesë në ankande
Individët nuk do të lejohen të marrin pjesë në ankandet e bonove dhe obligacioneve shtetërore. Qeveria shqiptare dhe Banka e Shqipërisë po punojnë në një projekt që do të sjellë ndryshime të rëndësishme në organizimin e tregut primar të titujve të borxhit qeveritar.
Në ankandet do të marrin pjesë vetëm bankat dhe investitorët e tjerë institucionalë, ndërsa individët do të mund të blejnë dhe shesin tituj vetëm nëpërmjet bankave dhe ndërmjetësve të tjerë të tregut primar.
Gjithashtu, pritet që nga ankandet e bonove të thesarit të tërhiqet edhe Banka e Shqipërisë, lëvizje që është e destinuar të ndryshojë në mënyrë thelbësore strukturën e borxhit të brendshëm qeveritar.
Sipas të dhënave më të fundit, individët dhe Banka e Shqipërisë zotëronin së bashku mbi 24% të stokut të borxhit publik, për një vlerë që llogaritet afërsisht në 1 miliard euro. Ky projekt, në thelb, ka si synim që të zhvillojë tregun dytësor të bonove dhe obligacioneve, duke i bërë ato instrumente të mirëfillta të tregtueshme.
Aktualisht, shumica e titujve qeveritarë mbahen deri në maturim, ndërsa vetëm një pjesë e vogël shiten para afatit. Ky do të ishte një hap më tej drejt zhvillimit të mëtejshëm të tregut financiar në Shqipëri, ndërkohë që sapo është licencuar edhe bursa e parë private e titujve.
Në ankandet e fundit, kërkesa e investitorëve për të blerë bono thesari është në rënie, ndërsa interesat po rriten. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në ankandin e të martës, bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 2.34%, nga 2.28% që kishte qenë interesi në ankandin e mëparshëm.
Qeveria shqiptare nuk arriti të siguronte të plotë shumën e shpallur të huamarrjes, prej 6.1 miliardë lekësh. Vlera e bonove të shitura u frenua në rreth 5.2 miliardë lekë.
Ndonëse tendenca është për një rritje të lehtë dhe graduale, ende yield-it të bonove nuk nxisin presione domethënëse për rritjen e interesave të depozitave apo të kredive bankare. Kjo qëndrueshmëri favorizon ruajtjen e normave të ulëta të interesit në ekonomi.
/SCAN