Bordi i Paqes, qeveria amerikane: Vlerësojmë mbështetjen e Shqipërisë! Zbulohen detyrat në Gaza
Qeveria amerikane vlerëson vendimin e Shqipërisë për t’iu bashkuar Bordit të Paqes për Gazën dhe mbështetjen ndaj planit të Presidentit Donald Trump. Në përgjigjen për Report Tv, një zyrtar tregon se përfshirja e Shqipërisë do të ketë objektiv çmilitarizimin e Gazës, çmontimin e infrastrukturës terroriste, çaktivizimin e armëve të përdorura nga terroristët dhe garantimin e sigurisë së civilëve palestinezë.
”Mbi 20 vende anëtare i janë bashkuar Bordit të Paqes, duke përfaqësuar rajone dhe perspektiva të ndryshme, të bashkuara nga një përkushtim i përbashkët për paqe dhe stabilitet në Gaza. Ne e vlerësojmë vendimin e Shqipërisë për t’iu bashkuar Bordit të Paqes si anëtare themeluese, si dhe mbështetjen e Shqipërisë për planin e paqes për Gazën të Presidentit Donald Trump”, tha një zyrtar i administratës amerikane.
Në mbledhjen e Bordit të kryesuar nga presidenti amerikan Donald Trump, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama publikisht konfirmoi se Shqipëria do të dërgojë trupa në Gaza si pjesë e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit. ”ISF-ja do të stabilizojë mjedisin e sigurisë: duke mbështetur çmilitarizimin e Gazës, çmontimin e infrastrukturës terroriste, çaktivizimin e armëve të përdorura nga terroristët dhe garantimin e sigurisë së civilëve palestinezë”, tha një zyrtar i administratës amerikane.
Shqipëria, Kosova, Indonezia, Maroku dhe Kazakistani do të angazhohen si të barabartë në kuadër të ISF, ndërsa nuk do të ketë garanci të shtuara sigurie nga SHBA. Shqipëria për momentin do të përfaqësohet me oficerë në shtabet ushtarake që do të krijohen. Më pas do të vendoset edhe për numrin apo nën komandën e kujt do të veprojnë trupat shqiptare, teksa preferenca për autoritetet tona shkon tek bashkëpunimi me një vend aleat në NATO. Gjenerali amerikan Jasper Jaffers, komandanti i ISF në Gaza, në mbledhjen e fundit të Bordit tha se synimi është krijimi i një force totale prej 20 mijë ushtarësh që do të bashkëpunojë me mbi 10 mijë policë palestinezë.
KOHA JONË SONDAZH

