Borxhi i shtetit ndaj invalidëve, Ismaili: Më lini të jetoj! Xhafa: Drejtoju gjykatës
Për njerëzit në nevojë, para dhe tetraplegjikë fondi për Mbrojtjen Sociale mbi 23 miliardë lekë nuk jep zgjidhje për disa nga problemet më kryesore të kësaj kategorie.
Kreu i shoqatës së invalidëve para dhe tetraplegjik Ndek Ismaili, ka ngritur shqetësimin e mos pajisjes së kësaj kategorie me mjetet lëvizëse ose karroca. Ndërkohë që një tjetër problematikë për të gjithë personat me aftësi të kufizuar vijon të mbetet edhe borxhi që vet shteti ka ndaj tyre që nga viti 2008 deri në 2015 me mos bërjen e indeksimit të pagesës.
“Unë thashë tekstualisht: 19 vjet qeveria shqiptare nuk ka fonde për të më pajisur mua me karrocë. Dhe e fundit, mos na mashtroni me këtë fond social se na e keni nxirë jetën me këtë fond social. Është që në 2002- in që flitet për këtë fond social dhe s’është bërë kurrë. Dhe s’ka për t’u bërë kurrë. Kështu që mos mashtroni sepse e keni të shkruar: Në qoftë se një person del paraplegjik, e keni në ligj, i përshtatet banesa. Ju s’merreni fare me të. Por, vjen doktori te spitali dhe të thotë gruas 28 vjeçe, burri i paralizuar: “Merre çoje në shpi, një krevat, një sfungjer, mirupafshim se u mbyll.” Me 16 vjet shkollë, Oficer Policie i thua “Ik flaku në rrugë”. Kë mashtron? Mua më mashtron? Unë jam i mashtruar, më ka mashtruar Zoti.”
Përfaqësuesja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Merita Xhafa ka dhënë si zgjidhje për pagesën e prapambetur, drejtimin e kësaj kategorie në gjykatë. Një gjë e tillë ka revoltuar jo vetëm grupet interesit por edhe përfaqësuesit e opozitës.
“Gjatë këtij viti kemi ofruar në negociata me Ministrinë e Drejtësisë asistencën ligjore me qëllim që këta të shkojnë në proces gjyqësor për të fituar për atë periudhë 2017 – 2008, sepse pa vendimin e gjyqësorit është e pamundur që të merren në konsideratë. Por natyrisht, këto nuk kalojnë nëpërmjet institucioneve qendrore, kalojnë nëpërmjet institucioneve të vetëqeverisjes vendore që janë Bashkitë.”
“Ai zotëria nuk mundet ta mbajë nervin, aq më tepër po ju them që është e pamundur që ai tani hallin që ka, problemin që shfaqet para Komisionit, përgjigja që nuk merr, por merr edhe një lloj kërcënimi nën të. Që mos u sill kaq keq, se te zyra ime sillesh mirë. Këtë mos e bëni dhe nuk e bëni dot këtu. Përgjigje konkrete keni, zonjë? Kaq janë pacientët, kaq janë nevojat. Fondi social i decentralizimit varet nga taksat vendore dhe nga mbledhja e taksave vendore dhe paaftësia për të mbledhur këto taksa? Fondi social varet nga fakti që pushteti vendor nuk ka punonjës social të mjaftueshëm për të identifikuar nevojat? Fondi social varet nga fakti që ju vetë nuk i dëgjoni si pushteti i qendrës një tabelë Excel-i që po ua kërkojmë dhe ne këtu sa janë nevojat ekzakte.”
Referuar buxhetit për mbrojtjen sociale përfaqësuesit e sindikatave kanë kërkuar që të merret në konsideratë rritja me 30% e pagës minimale duke e çuar atë në 28 mijë lekë si dhe rritje me 10-15% për pensionet.