Bosnja, kundër Kosovës në A-5

Bosnje-Hercegovina nuk ka pranuar që Kosova të jetë pjesë e Kartës së Adriatikut, një forum rajonal i iniciuar nga SHBA-ja, që shërben si fazë parapërgatitore për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në NATO. Në takimin e zhvilluar dje në Tiranë, përveç Bosnjes edhe Serbia ka qenë kundër pjesëmarrjes së Kosovës në këtë forum, megjithëse të dy vendet, Serbia dhe Kosova, kanë statusin e vëzhguesit në A-5. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, në një cilësinë e përfaqësuesit të vendit kryesues të këtij forumi, në një konferencë për mediat, u shpreh se pavarësisht qëndrimit të Bsonjes, është në interesin e vendeve të rajonit të bashkëpunojnë. Lidhur me qëndrimin e ambasadorit serb në takimi, Bushati tha se “ky është një qëndrim i palës serbe. Unë jam i mandatuar për të artikuluar interesat e Shqipërisë dhe jo interesat e Serbisë”. Ndërsa për qëndrimin e Bosnjes, ministri tha se “secili prej vendeve të rajonit e di mirë se si e sheh raportin me NATO- n dhe me sfidat e sigurisë në përgjithësi dhe sfidat me të cilat sot përballet civilizimi perëndimor. Thënë shkurt dhe troç. Ne si Shqipëri do të dëshironim një gjithë përfshirje në këtë nisëm, duke qenë se konsiderohet si paradhomë për anëtarësimin e vendeve në NATO dhe garanton nga ana tjetër një përfshirje më të madhe të SHBA-së në rajon përmes programeve të bashkëpunimit në fusha të ndryshme që prekin elementët e sigurisë”,- tha Bushati. Në takimin e djeshëm në Tiranë, morën pjesë vendet anëtare të Kartës SHBA-Adriatike: Shqipëria, SHBA-ja, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, si dhe dy vendet vëzhguese të saj, Kosova dhe Serbia. Takimi u fokusua në trajtimin e tematikave të tilla si situata e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, forcimi i bashkëpunimit rajonal mes vendeve anëtare dhe vëzhguese të A-5 në funksion të integrimit të plotë euro-atlantik të rajonit, si dhe shqyrtoi rrugët e intensifikimit të bashkëpunimit rajonal dhe rëndësinë e zgjerimit të Kartës së Adriatikut për përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.Duke nënvizuar progresin e arritur në ecurinë e rajonit tonë drejt integrimit Euroatlantik si dhe intensifikimin e bashkëpunimit rajonal gjatë 11 viteve të ekzistës së Kartës Adriatike, vendet pjesëmarrëse ritheksuan aspiratat e tyre për integrim Euroatlantik si dhe vlerësuan kontributin e rëndësishëm që japin në këtë drejtim Shqipëria, Kroacia dhe SHBA-ja, në cilësinë e vendeve anëtare të NATO-s.Në fjalën e tij, Ministri Bushati, pasi ilustroi sfidat aktuale për sigurinë e rajonit tonë si dhe kontributin e Shqipërisë në përballimin e tyre, theksoi edhe domosdoshmërinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal në funksion të përballimit të përbashkët të sfidave të sigurisë, jo vetëm për rajonin tonë por edhe më gjerë. Krahas vlerësimit të kontributeve të vendeve pjesëmarrëse në operacionet e drejtuara nga NATO, veçanërisht në Afganistan, Ministri Bushati theksoi edhe domosdoshmërinë e zgjerimit të Kartës me vendet e tjera të rajonit, gjë që do i shërbejë integrimit të plotë euro-atlantik të tij, në funksion të konsolidimit të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit.

 

SHKARKO APP