Braçe kundër mënyrës së propozuar për Reformën Territoriale: Duhet të dëgjojmë njerëzit, jo vetëm drejtuesit e bashkive

Deputeti socialist Erion Braçe ka shprehur rezerva ndaj mënyrës se si është propozuar reforma e re territoriale-administrative, duke kërkuar që procesi të mos trajtohet vetëm si një ndarje teknike, por si një vendimmarrje ku qytetarët dhe komunitetet të jenë në qendër.

Në një reagim në rrjetet sociale, Braçe kundërshtoi bashkimin e propozuar të disa bashkive, duke përmendur veçanërisht Poliçanin, Divjakën dhe Libohovën, zona me të cilat ai ka lidhje të veçanta politike dhe personale.

Sipas tij, përpara marrjes së vendimeve përfundimtare duhet të zhvillohet një proces dëgjimi me banorët, ku të shpjegohen arsyet e reformës, të merren parasysh shqetësimet e komuniteteve dhe të ketë reflektim mbi argumentet e tyre.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Duhet të dëgjojmë njerëzit tani. Jo thjesht udhëheqësit e bashkive, por njerëzit”, shkroi Braçe, duke theksuar se qytetarët e këtyre zonave nuk janë konsultuar mjaftueshëm për ndryshimet që i prekin drejtpërdrejt.

Swiss Digital Mobile Reklama

Deputeti socialist tha se Poliçani, Divjaka dhe Libohova nuk mund të konsiderohen thjesht si njësi administrative, pasi kanë histori, identitet dhe rëndësi ekonomike e shoqërore.

Për Libohovën, Braçe nënvizoi trashëgiminë historike të zonës, duke kujtuar rolin e saj ndër vite si qendër administrative dhe kulturore. Për Divjakën ai vlerësoi zhvillimin ekonomik, bujqësor dhe infrastrukturor të viteve të fundit, ndërsa për Poliçanin theksoi rëndësinë strategjike të industrisë ushtarake dhe potencialin e tij për zhvillim.

Reagimi i tij vjen pas protestave të banorëve në Poliçan kundër ndryshimeve të propozuara territoriale, si dhe debatit të krijuar në komunitete të tjera që preken nga reforma.

Braçe bëri thirrje për qetësi, dialog dhe një proces vendimmarrjeje që respekton qytetarët dhe historinë e komuniteteve.

“Ky nuk është kurrë një proces i ftohtë teknik, por mbi të gjitha njerëzor”, përfundoi deputeti socialist.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?