Brenda në thertoren e Tiranës, si të dallojmë mishin e sigurtë

Nga: Jonida Tashi – Reportazh i TV “Channel one”/ Shqiptarët konsiderohen si popull mishngrënës, ku konsumi vjetor i produkteve të mishit vitet e fundit ka arritur në 38 mijë ton në vit. 

Por nëse në vitet e regjimit komunist mishi ishte një produkt luksi, e askush nuk ngrinte dot dyshime për sigurinë, tranzicioni ndryshoi sitilin e jetesës, duke shtuar gjithnjë e më shumë kërkesën konumatore për produktet e mishit. Sipas statistikave, konsumi i mishit në Shqipëri është rreth 44 kg për frymë në vit.

Pas viteve 90, me qindra pika therje me ose pa leje, madje edhe buzë rrugëve kombëtare nisën të tregtonin mish, duke plotësuar kështu kërkesën e lartë për këtë produkt, por që pak kush mendonte për sigurinë.

U desh të kalonin disa vite me këtë situatë, për të mbërritur në mbylljen e shumë prej këtyre pikave të therjes dhe tregtimit të mishit, që nuk plotësonin as kushtet minimale higjieno-sanitare. Por edhe pas këtij aksioni, sërish tregtimi i produkteve të mishit vijoi të bëhej jashtë standardeve, duke u shndërruar në rrezik potencial për shëndetin e popullatës.

Kontrollet e AKU

Në fillim të muajit tetor, qeveria u zotua se kjo çështje do të zgjidhej njëherë e mirë, duke nisur një aksion kombëtar për kontrollin e të gjitha pikave të therjes dhe tregtimit të mishit në vend.

Rezultatet në këto ditë të para të aksionit kanë qenë dramatike, 4 ton mish dhe produkte të tij të pakontrolluara; shumë pika therje dhe dyqane të mbyllura për shkak të mos plotësimit të kushteve për t’u ofruar mish të sigurt konsumatorëve.

Edlira Dibra“Kemi 94 subjekte të cilave iu është ndërprerë aktiviteti i kryerjes së procesit të therjes së kafshëve. Arsyet e ndërprerjes së aktivitetit ishin se këto subjekte nuk plotësonin kushtet dhe standardet për sigurinë ushqimore. Aktualisht kemi të ndërprerë aktivitetin në 20 thertore të cilat janë të licencuara nga AKU dhe 75 njësi therje. Ky aksion nuk vazhdoj vetëm me thertoret, por edhe me njësitë e tregtimit të mishit. Është mbyllur aktiviteti për 201 subjekte tregtimi mishi, ndaj të cilave kemi mar dhe masën e bllokimit dhe të konfiskimit të produktit. Afërsisht kemi 4 ton mish të bllokuar dhe të sekuestruar si produkt i pasigurt. Njëkohësisht me mishin kemi bllokuar dhe sekuestruar edhe 1 ton peshk, që janë gjetur dhe tregtuar jashtë kushteve dhe standardeve”.

Specialistët e AKU sqarojnë se mishi i sigurt për konsumatorët është vetëm ai që kalon në procesin e thertoreve dhe vuloset nga veterineri.

Edlira Dibra: “Standardet nuk janë vetëm kushtet higjieno-sanitare. Standardet fillojnë që në momentin që kafsha do të pushoj para se të kryhet procesi i therjes. Mënyra se si është e shtrirë linja ku do të kryhet procesi i therjes. Kushtet e ruajtjes në frigorifer, si do të transportohet mishi deri në njësinë e tregtimit. Mishi i cili nuk është kontrolluar nga mjeku veteriner, për të bërë kontrollin e kafshës para dhe pas therjes, për të bërë vulosjen dhe certifikimin e këtij produkti, ky mish i cili nuk e ka kaluar këtë fazë dhe nuk është i shoqëruar me vulën dhe raportin veterinar është mish i pasigurt” 

Thertorja e Tiranës 

Për herë të parë, në muajin tetor, Bashkia e Tiranës hapi thertoren e parë publike, e cila plotëson të gjitha kushtet higjienike dhe standardet për të ofruar mish të sigurt për konsumatorët.

“Channel one” ndoqi hap pas hapi të gjithë procesin e therjes së bagëtive në thertoren publike të Tiranës, që nga momenti i parë, që është pranimi i kafshëve me dokumentacion shëndetësor e deri te vendosja e mishit të vulosur në kushte frigoriferike, që është faza e fundit para shitjes.

Fillimisht bagëtitë kontrollohen për matrikullimin, në të kundërt nuk pranohen në thertore. Më pas vlerësohet gjendja e tyre shëndetësore. Para se bagëtitë t’i nënshtrohen procesit të therjes, qëndrojnë në stallë për të pushuar, proces gjatë të cilit kafshëve i largohet stresi dhe stabilizohet qarkullimi i gjakut.

Ermiona Hajdini: “Çdo kafshë e cila vjen në thertore duhet të jetë e pajisur me dokumentacionin shëndetësor shoqërues, pra certifikatën shëndetësore e cila përmban të gjithë informacionin shëndetësor për kafshën. Sigurisht çdo kafshë që vjen për therje krahas këtij dokumentacioni duhet të ketë edhe matrikullin identifikues në vesh. Procesi i parë për çdo kafshë që hyn në stallë është vlerësimi ose kontrolli klinik i saj. Veterineri është i detyruar të plotësoj kartelën identifikuese me të gjithë të dhënat dhe parametrat jetësor të kafshës që pret për t’u therur. Më pas vjen procesi i therjes. Gjatë këtij procesi veterineri duhet të kontrolloj komplet karkasën, organet e brendshme dhe më pas të japi vlerësimin përfundimtar nëse ky mish lejohet për konsum ose jo. Në fund të procesit të therjes, kur mishi rezulton i rregullt bëhet vulosja e mishit të freskët në të katër ekstremitetet dhe çdo karkasë pajiset me certifikatën veterinare, e cila jep garancinë që ky produkt është i sigurt”.     

Pas therjes, veterinerët kontrollojnë organet e brendshme, nëse aty konstatohet ndonjë problem që lidhet me sëmundje të kafshës, mishi nuk lejohet te nxirret nga thertorja për konsum.

Ermiona Hajdini: Kontrolli i organeve të brendshme bëhet për të parë nëse kafsha në këto organe ka prani të sëmundjeve infektive ose parazitare. Në rast se organet e brendshme janë të prekura ne nuk mund t’i lejojmë për konsum, gjë që kushtëzon edhe mënyrën se si do të lejohet mishi për konsum. Nëse organet bashkë me karkasën e cila rezulton që nuk lejohet për konsum, të gjitha izolohen në dhomën frigoriferike për të tilla kafshë dhe më pas asgjësohen”  

Pas gjithë procesit tw therjes, mishi qëndron 12-24 orë në kushte frigoriferike.

Ermiona Hajdini: “Pasi përfundon procesi i vulosjes dhe i plotësimit të certifikatës veterinare, karksa vjen në dhomën frigoriferike. Në këtë dhomë do të qëndroj për procesin e maturimit të mishit 12 deri në 24 orë. Këtu temperaturat janë 4 gradë dhe lagështia 86% . Ky është një proces shumë i rëndësishëm për sigurinë e mishit të freskët. Çdo karkasë e therur duhet të kaloj patjetër procesin e maturimit sepse kjo rrit edhe cilësinë e mishit. Më pas karkasa me gjithë dokumentacionin shoqërues do kaloj për t’u transportuar në subjekt me mjete të posaçme frigoriferike”

Nëse mishi konsumohet pas procesit të maturimit, siç ndodh në thertore, jo vetëm që është i sigurt, por ka më shumë vlera ushqyese. Ka disa arsye pse mishi nuk duhet të konsumohet menjëherë pas therjes së kafshës.

Ermiona Hajdini: “Gjatë procesit të therjes në organizmin e kafshës si pasojë e stresit dhe faktorëve të tjerë, zhvillohen një sërë reaksionesh kimike të cilat çojnë në çlirimin e substancave të dëmshme për organizmin e njeriut nëse ky mish do konsumohet direkt pas therjes pa kaluar procesin e maturimit. Menjëherë pas procesit të therjes proteinat janë të pastabilizuara në mish dhe nëse konsumohet mishi nga njeriu krijon rritje të kolesterolit. Procesi i maturimit bën që në mish të kryhen një sërë procesesh fiziko-kimike të cilat e bëjnë mishin më të sigurt për konsumatorin” 

Por si duhet ta dallojmë një mish cilësor, pasi ngjyra e kuqe e errët, ndryshe nga sa mendojnë shpesh konsumatorët, nuk është tregues.

Ermiona Hajdini: “Në momentin që mishi shkon në subjekt, e para është vula e shërbimit veterinar si dhe certifikata që shoqëron mishin. Së dyti, mishi i freksët ka një ngjyrë rozë të purpurt. Në momentin që fillon të errësohet dhe mer ngjyrë në kafe, ky mish nuk është i sigurt dhe nuk duhet konsumuar. Amvisat mund ta shikojnë mishin në shtëpi kur pas përpunimit termik shohim bulionin e mishit apo lëngun që del i cili është i kthjellët dhe ka depozitime të yndryrës në sipërfaqe. Gjithashtu, është edhe aroma që lëshon mishi pas përpunimit termik, e cila ka aromën e secilës kafshë dhe është pikërisht procesi i maturimit që ja jep”.  

Sëmundjet nga kafshët

Sot në botë, nga 1461 shkaktarë të sëmundjeve në njerëz, 875 prej tyre e kanë origjinën nga kafshët dhe 75% e sëmundjeve emergjente (të reja) po te njeriu e kanë origjinën nga kafshët.

Rreziku më i madh nga konsumimi i mishit të pasigurt janë sëmundjet zoonotike, që transmetohen direkt nga kafshët te njerëzit. Bëhet fjalë për sëmundje si antraksi, bruceloza, tuberkulozi, ethet hemoragjike.

Edlira Dibra: “Shumë sëmundje kalojnë nga kafsha te njeriu dhe këto futen te sëmundjet zoonotike. Ka shumë sëmundje të cilat janë shumë të rrezikshme, mund të përmendim një nga sëmundjet të cilat populli e njeh si plasja apo antraksi. Janë shumë sëmundje të tjera që transmetohen, por është vetëm syri klinik i mjekut, i cili nëse gjatë kontrollit para dhe pas therjes konstaton ndonjë sëmundje, atëherë ky produkt kalon për ekzaminime të mëtejshme dhe pas marrjes së vlerësimit nga laboratori që produkti mish është i sigurt, vetëm atëherë mjeku veteriner e lëshon raportin” 

Fushata sensibilizuese në Tiranë 

AMK që prej muajit tetor ka nisur një fushtatë për të sensibilizuar konsumatorët rreth mishit të sigurt, i cili duhet të jetë i pajisur me vulën e veterinerit. Juni Plaku, specialiste e sektorit të projekteve në AMK, pohon se konsumatorët po tregojnë interes për t’u informuar. Fushata informuese do të vijojë deri në festat e fundivit, ku konsumi i mishit është edhe më i lartë.

Përtej fushatës sensibilizuese, konsumatorët kanë dyshime për cilësinë dhe sigurinë e mishit që blejnë. Ndonëse janë të informuar rreth aksionit për kontrollet e mishit, ata pohojnë se shitja e këtij produkti në vendin tonë është larg standardeve.

Për Autoritetin Kombëtar të ushqimit, lufta për një standard të ri në sigurinë ushqimore nuk mund të fitohet nëse në këtë betejë nuk janë edhe konsumatorët, të cilët, duhet të ndërgjegjësohen dhe të mos pranojnë asnjë produkt të pasigurt. Specialistët u bëjnë apel qytetarëve që të tregohen të kujdesshmën në blerjen e produkteve ushqimore, veçanërisht mishit.

Një shprehje e kimistit të njohur francez, Liu Pastër, i cili  krijoi vaksinën kundër sëmundjes së tërbimit, thotë: Mjeku human shëron njerinë, mjeku veteriner shpëton njerëzinë.  Ndoshta tani ka ardhur sërish koha që për shëndetin tonë, veterinerit t’i japim rëndësinë e duhur.

SHKARKO APP