Britania kundër grupeve shqiptare që tra*ikojnë njerëz drejt Anglisë: S’ka më varka e pasaporta false
Mbretëria e Bashkuar është në një luftë të vijueshme për të mbajtur larg bandat që trafikojnë njerëzit si me varka apo dhe me pasaporta false drejt Anglisë. Mësohet se njëherë e mirë janë mbyllur kufijtë për migrimin e paligjshëm. Anëtarët e bandave dhe financuesit e fshehtë që mundësojnë tregtinë e neveritshme të kontrabandës së njerëzve, përfshirë një rrjet falsifikimi të pasaportave të Kosovës, janë ndaluar të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe janë ngrirë nga sistemi financiar i Mbretërisë së Bashkuar, si pjesë e goditjes së qeverisë ndaj bandave që shfrytëzojnë një rrugë kyçe tranziti për migrim të paligjshëm.
Sanksionet e sotme kufizojnë aftësinë e tyre për të lehtësuar kontrabandën e njerëzve drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe demonstrojnë vendosmërinë e qeverisë për të demaskuar publikisht këdo që mbështet tregtinë e neveritshme të njerëzve, në cilindo vend që ndodhen.
Vendimi është bërë me dije ditën e sotme, teksa në Londër po mbahej samiti i radhës i Procesit të Berlinit, i cili ka mbledhur 6 liderët e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar bashkëpunimin rajonal, migracionin e paligjshëm, sigurinë evropiane dhe zhvillimin ekonomik. I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në kryeqytetin britanik që prej ditës së djeshme, ku ka marrë pjesë edhe në disa forurime të rëndësishme.
“Ekziston një rrugë kriminale përmes Ballkanit Perëndimor që sjell emigrantë të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe ne jemi të vendosur ta mbyllim atë duke bashkëpunuar me partnerët evropianë. Përpjekjet tona të përbashkëta kanë përgjysmuar tashmë kalimet e parregullta kufitare dhe kanë ulur mbërritjet e anijeve të vogla nga Shqipëria me 95%. Përmes një Task Force të re të Përbashkët për Migracionin, dronëve britanikë dhe sanksioneve më të ashpra, ne po i ndjekim bandat e kontrabandës në çdo fazë për t’i nxjerrë ato nga biznesi dhe për të ofruar siguri për njerëzit që punojnë”, tha Keir Starmer.
KOHA JONË SONDAZH

