Britania “zhduk” BE-në nga pasaportat e reja

Qeveria britanike është në kaos sa i përket “Brexit”-it por administrata ka nisur të lëshojë pasaportat e para pa togfjalëshin “Bashkimi Europian” në pjesën e sipërme të kapakut, edhe pse zyrtarisht procesi i shkëputjes së Mbretërisë së Bashkuar nga unioni është shtyrë.

Pasaportat e reja ngjyrë vishnje janë prezantuar prej 30 marsit, dita që supozohej të ishte e para e Britanisë së Madhe jashtë BE-së, pavarësisht se disa njerëz mund të pajisen ende me versionin e vjetër, që ka mbetur ende stok.

“Me të vërtet e tmerruar”, do të shkruante një shtetase britanike në rrjetet sociale, teksa publikonte fotot e pasaportës së vjetër që i kishte skadonte dhe asaj të resë me të cilën sapo ishte pajisur. Susan Hindje Barone, e cila u pajis të premten me mjetin e ri identifikues, tha për “Press Association” se kishte menduar që dizajni i pasaportës nuk do të ndryshonte, për sa kohë Britania mbetej anëtare e BE-së.

“Mbeta e befasuar sepse jemi ende pjesë e BE-së. Ata kanë bërë ndryshime, ndërsa ende nuk jemi shkëputur. Kjo është shenjë e prekshme nga diçka që unë besoj se është totalisht e kot. Çfarë fitojmë ne duke u shkëputur? Sigurisht që ka shumë gjëra që ne i humbasim”, tha ajo.

Ndërkohë, pasaportat në ngjyrë blu të errët, që i ngjasojnë dizajnit përpara se Britania të bëhej pjesë e BE-së, pritet të lëshohen nga fundi i vitit. Vendimi për të hequr togfjalëshin “Bashkimi Europian” nga pasaportat u bë me mendimin se Britania do të largohej nga BE-ja në fund të muajit mars, siç ishte programuar.

Një zëdhënëse e Ministrisë së Brendshme (Home Office) tha se “në mënyrë që të shfrytëzojmë edhe stokun e mbetur dhe të vlerësojmë maksimalisht taksapaguesit”, pasaportat e vjetra me togfjalëshin “Bashkimi Europian” do të vazhdojnë të lëshohen edhe për një “periudhë të shkurtër”.

Megjithatë, ajo u kujdes të theksonte se nuk do të kishte asnjë dallim mes një shtetasi britanik që përdor pasaportën me “Bashkimi Europian” në krye, apo pa të. “Që të dyja dizajnet do të jenë të barazvlefshme për udhëtime”, tha ajo.

Top Channel

SHKARKO APP