Bruksel, ku je?
Nga Gëzim Mekuli
"Kosova është djepi i Serbisë. Kosovën nuk do ta harrojmë kurrë",- ka deklaruar kryeministri i një shteti të huaj në brendësi të shtetit të Kosovës, Vuçiç. Deklarimet e Vucciccit nuk janë të frikshme, e as të papritura, por është tjetra, ajo që këtu është shqetësuese dhe e frikshme: Qeveria e Kosovës, pandalur, përsëritë se, "Kosova është shtet i pavarur, demokratik dhe i pacenueshëm në aspektin territorial". E në anën tjetër, në zemër të Kosovës, e në pikë të ditës, Serbisë agresive, i lejohet të përdorë retorikën mitologjike e luftënxitëse. Mos të harrojmë se ishte po ajo mitologjia serbe dhe gojëdhëna serbe, ajo që nxiti dhe ushqeu nacionalizmin serb për të kryer gjenocide ndaj popujve të tjerë në shtetin e ish- Jugosllavisë. Fjalimi luftënxitës e me urrejtje i një kryeministri të huaj në një shtet tjetër, është jo vetëm skandal politik e jo diplomatik, por kjo është edhe poshtërim publik dhe ndërhyrje në sistemin politik të një shteti tjetër.
Pyes me shqetësim: Si do të reagonte Qeveria italiane sikur kryeministri i Sllovenisë, Tirolin Jugor ta quante "zemër e Sllovenisë?" Si do të reagonte qeveria gjermane, sikur kryeministri francez Republikën e Saarlandit do ta quante "zemër e Francës?" Përsëri pyes, si do të reagonte qeveria e Serbisë nëse kryeministri i Hungarisë Vojvodinën do ta quante "zemër e Hungarisë". Konsekuent deri në fund, si do të reagonte Qeveria e Serbisë nëse qeveria e Kosovës Sanxhakun do ta quante "zemër e Shqipërisë"?
Loja dhe përdorimi i fjalëve luftënxitëse filloj, dhe përsëri udhëheqëse në këtë "lojë" është politika nacionaliste e raciste e Serbisë…, kështu e filloj edhe Millosheviçi, duke ndjekur nga pas veprimet dhe shembullin e Gavrillo Principit, serbit të Sarajevës që pushkatoj princin austriak Franz Frdinand dhe gruan e tij, Sophie von Huhenberg me 28 qershor 1914.
Po presim reagimin e Brukselit!?