
Shqipëria mund të arrijë në fazën përmbyllëse të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian në fund të vitit 2027 ose në fillim të vitit 2028. Ky është skenari që parashikohet në draft-udhërrëfyesin e Komisionit Europian për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën. Dokumenti i cili do të prezantohet të mërkurën nga Marta Kos, është ndërtuar mbi bazën e dhjetë raporteve të progresit për këto vende.
Një burim diplomatik në Bruksel që ka pasur mundësi ta konsultojë draftin, ka ndarë detajet me gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu. Sipas dokumentit, Komisioni Europian pritet të vlerësojë përparimin e konsiderueshëm të Shqipërisë në negociata. Në pak më shumë se një vit janë hapur të gjithë grup-kapitujt, ndërsa janë përmbushur edhe objektivat e ndërmjetëm për Grup-Kapitullin 1.
Brukseli kërkon vijimësi të reformave, duke theksuar se shpejtësia duhet të shoqërohet me cilësi. Polarizimi politik, dobësitë në kontrollin parlamentar dhe përdorimi i tepruar i procedurave të përshpejtuara për miratimin e ligjeve mbeten shqetësime për cilësinë e qeverisjes demokratike.
Sipas projeksionit të udhërrëfyesit, Shqipëria dhe Moldavia mund të përfundojnë negociatat në fund të vitit 2027 ose në fillim të vitit 2028, ndërsa Ukraina deri në fund të vitit 2029. Ky afat përputhet me ambicien e kryeministrit Edi Rama, i cili ka deklaruar se synon përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027.
Në fokus të prezantimit do të jetë edhe Mali i Zi. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, pritet të deklarojë se ky vend është në rrugën e duhur për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të këtij viti, duke e cilësuar përparimin e tij si dëshmi se zgjerimi i BE-së mbetet një objektiv konkret dhe i arritshëm.
