BSH: Ekonomia shqiptare po zhvendoset nga ndërtimi, tek industria

Banka e Shqipërisë gjykon se, ekonomia shqiptare ka nisur të ristrukturohet në terma afatgjata.

Në raportin vjetor të 2015-s të dorëzuar në Kuvend, nënvizohet fakti se, burimet prodhuese po zhvendosen nga sektori i ndërtimit drejt atij të industrisë.

Po kështu, brenda sektorit të shërbimeve kemi zhvendosje të burimeve nga sektorët me vlerë të ulët të shtuar, si tregtia me shumicë e me pakicë, drejt atyre me vlerë më të lartë, si edukimi e shëndetësia.

Banka gjykon se, këto lëvizje strukturore vështirësojnë disi rritjen ekonomike në periudhën afatshkurtër, por në një këndvështrim afatgjatë, ato janë të nevojshme dhe duhet të fuqizohen më tej, raporton TCH.

Prej vitit 2009, ekonomia e vendit është vënë nën trysninë e pasigurive të shtuara, si pasojë e krizës botërore. Ekspansioni i shpejtë i ndërtimit deri në 2009-n, sidomos në segmentin rezidencial, u pasua me një rënie të menjëhershme të kërkesës për to.

Për rrjedhojë, ky sektor që ishte në bazën e rritjes ekonomike u tkurr dhe ndikoi negativisht deri në fund të vitit 2014. Sektorët e shërbimeve shënuan gjithashtu një ngadalësim të dukshëm të ritmeve të rritjes, kryesisht pas vitit 2010. Kjo ka bërë që ekonomia shqiptare të nisë një orientim të ri, i cili sipas bankës qendeore do të nxisë një rritje më të qëndrueshme.

SHKARKO APP