BSH: Kandidati i Nishanit, anëtar i Këshillit Mbikqyrës

Gent Sejko, i dekretuar nga Presidenti për postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, është propozuar nga Këshilli Mbikqyrës për të qënë anëtar i këtij Këshilli. Një fakt të tillë e ka bërë me dije vetë institucioni i bankës qendrore, sipas të cilës ky vendim u mor në mbledhjen e një dite më parë nën drejtimin e guvernatores në detyrë, Elisabeta Gjoni. Në vijim, BSH-ja thekson se “në përmbushje të detyrimit ligjor për t’i propozuar Kuvendit të Shqipërisë një anëtar të Këshillit Mbikëqyrës; duke ndjerë të gjithë peshën e përgjegjshmërisë për një zgjidhje sa më të shpejtë të situatës së plotësimit të qeverisjes së Bankës së Shqipërisë dhe të Inspektorit të Përgjithshëm; me vullnetin për të kontribuar në një zgjidhje të pengesës ligjore të krijuar në lidhje me procedurat për përzgjedhjen dhe emërimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë; si dhe duke vlerësuar frymën e konsensusit dhe të bashkëpunimit të krijuar ndërmjet institucioneve kushtetuese të përfshira në procesin e emërimit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Presidentit të Republikës, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, si dhe tre forcave kryesore politike parlamentare në vend, nga shumica qeverisëse dhe nga opozita, siç është konfirmuar edhe nga takimet e anëtarëve të Këshillit me titullarët e këtyre institucioneve; në vijim edhe të vendimit të Kuvendit të datës 18 dhjetor 2014, për të liruar nga detyra si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Adrian Civici, pas dorëheqjes së këtij të fundit, thirri për dëgjesë kandidatin e propozuar për Guvernator nga Presidenti Gent Sejko”. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë sqaron se pasi u njohën me jetëshkrimin, arsimimin, përvojën profesionale dhe vizionin e z. Sejko, të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, me përgjegjshmëri të plotë institucionale, vlerësuan se kandidatura e tij i përmbush të gjitha kriteret ligjore të përcaktuara në ligjin për Bankën e Shqipërisë për të qenë anëtar i organit më të lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës të institucionit. “Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, mbështetur në nenin 44, pika 2, gërma “c” e ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”,  me vendimin nr. 79, datë 19.12.2014, i propozoi Kuvendit të Shqipërisë, zgjedhjen e Gent Sejko në funksionin e anëtarit të këtij organi”, cilëson në mënyrë zyrtare Banka e Shqipërisë lidhur me një fakt të tillë. Duke i dhënë në këtë mënyrë atij edhe formën e duhur ligjore për t’u votuar më pas nga Kuvendi si Guvernatori i mundshëm i bankës qendrore.

SHKARKO APP