“Bubullima do dëgjohet në çelit e çlirimtarëve” – motoristët marshojnë në Hagë në përkrahje të çlirimtarëve
Sot në mëngjes nisi rigrupimi i motoristëve defilues që po udhëtojnë drejt Hagës, në mbështetje morale për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale.
Destinacioni i tyre është Sheveningen, ku ndodhen të burgosurit, dhe dita e sotme pritet të jetë e veçantë dhe simbolike.
Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL UÇK), Nasim Haradinaj ka publikuar në rrjete sociale pamje nga ky grumbullim ku ka shkruar se Den Hag Sheveningen “do të jetë një ditë e veçantë dhe e zhurmshme”.
Haradinaj tutje ka thënë se zhurma e motorëve do të dëgjohet edhe në çelit e çlirimtarëve.
“Mëngjesin e sotëm filluam rigrupimin e motoristëve defilues për në Hagë…! Ata po bashkohen e ribashkohen dhe sot në Den Hag Sheveningen do jetë një ditë e veçantë dhe e “zhurmshme”… Bubullima e motorëve do dëgjohet edhe në çelit e çlirimtarëve tanë dhe përtej…!”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj kishte treguar se motoristët të cilët u nisën nga Prekazi për në Hagë për të marshuar për drejtësi për ish krerët e UÇK-së, kishin mbërritur.
Para katër ditësh, rreth 150 motoristë shqiptarë nga vende të ndryshme të Kosovës dhe Evropës në kuadër të platformës “Liria ka Emër” kanë nisur marshin drejtë Hagës me motoçikleta me thirrjen e vetme “Drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” të cilët po gjykohen në Hagë. /Telegrafi/
KOHA JONË SONDAZH

