Bujar Leskaj: Bashkëpunim me Malin e Zi për përvojën e auditimeve
Një grup audituesish nga SAI-t i Malit të Zi zhvilluan një vizitë studimore në Kontrollin e Lartë të Shtetit
Një delegacion i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Malit të Zi zhvilloi një vizitë studimore në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Kjo vizitë vjen në zbatim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis KLSH-së dhe SAI-t të Malit të Zi të nënshkruar në 2012, e cila prej 5 vjetësh ka krijuar një traditë të pasur e konkrete bashkëpunimi mes dy institucioneve, e reflektuar në shkëmbimin e vizitave të shumta të Kryetarit e audituesve të KLSH-së dhe Presidentit e audituesve të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Malit të Zi.
Delegacioni përbëhej nga Gaga Gegaj, Shef Sektori; Radule Zuric, Auditues; znj. Ivana Jovicevic, Audituese; Radovan Popovic, Auditues; Spiro Mijovic, Auditues; Lidija Matovic, Audituese; Snezana Radulovic, Audituese; Veselin Milovic, Auditues. Delegacioni i SAI-t të Malit të Zi u prit në një takim mirëseardhjeje nga Kryetari i KLSH-së, .Bujar Leskaj, i cili e konsideroi këtë vizitë si shembull të zbatimit të Motos të INTOSAI-t “Experientia mutua omnibus prodest”. Leskaj veçoi disa nga piketat që i japin një ngjyrim solid e të ngushtë partneritetit midis dy institucioneve. “Për mua është një kënaqësi të pres një grup audituesish nga Zyra Shtetërore e Auditimit të Malit të Zi. Kjo kënaqësi është e shumëfishtë. Së pari, jemi dy popuj që kemi më shumë gjëra që na bashkojnë sesa na ndajnë. Kemi treguar se jetojmë në harmoni dhe kjo harmoni është reflektuar edhe në marrëdhëniet institucionale midis dy shteteve. KLSH dhe SAI i Malit të Zi kanë shumë gjëra të përbashkëta. Së dyti, ndonëse jemi institucione modeste në krahasim me homologët e Europës, ne i përmbushim më së miri detyrat kushtetuese. Këto ngjashmëri krijojnë një bashkëpunim të shëndetshëm për t’u angazhuar në auditime të përbashkëta”, theksoi Z.Leskaj duke vlerësuar ekspertizën së SAI-t të Malit të Zi në fushën e auditimit të tatim-taksave, të cilën e konsideroi si një fushë potenciale për organizmin e një auditimi të përbashkët. “Së treti, si Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit vlerësoj prezencën e Dr. Dabović në Konferencat Shkencore të KLSH-së. KLSH zhvillon çdo vit Konferencën Shkencore, ku marrin pjesë personalitete të shquara, si brenda dhe jashtë vendit dhe Z. Dabović ka spikatur si një nga referuesit më të mirë”.
Në vazhdën e fjalës së tij, .Bujar Leskaj veçoi se Zyra Shtetërore e Auditimit të Malit të Zi është një nga SAI-t e para me të cilat ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimit, gjatë vitit të parë të mandatit si Kryetar i KLSH-së. “Ka qenë një nga SAI-t e para së bashku me SAI-n e Polonisë, Kroacisë , Sllovenisë, Kosovës, Turqisë. Vitin e fundit, kemi nënshkruar marrëveshje me SAI-et e Bullgarisë, Çekisë dhe Kuvajtit. Në këtë këndvështrim, e them me bindje se bashkëpunimi me SAI-n e Malit të Zi është një histori suksesi, e cila ka rezultuar tepër produktive në shkëmbimin e përvojave dhe njohurive në auditim”.
Në emër të delegacionit të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Malit të Zi, përshëndeti z.Gaga Gegaj, auditues i lartë në SAI-n e Malit të Zi. Z.Gegaj falënderoi për mikpritjen e ngrohtë Kryetarin e KLSH-së, z.Bujar Leskaj, duke i përcjellë përshëndetjet më të përzemërta nga Presidenti, Dr. Milan Dabović. “Auditusit shqiparë dhe malazezë kanë konsoliduar një marrëdhënie të veçantë, jo vetëm midis kolegësh, por midis miqsh. Koha e punës është e gjatë, jeta e shkurtër dhe përballë këtyre kufizimeve kemi arritur të zhvillojmë vizita reciproke e të konsolidojmë një bashkëpunim të drejtpërdrejt dhe konkret”
Në përfundim të fjalës së tij, z.Gegaj, në emër të Presidentit Milan Daboviç, në shenjë vlerësimi i dorëzoi z.Leskaj një dhuratë simbolike, “Monografinë e Podgoricës”. Z.Leskaj falënderoi delegacionin e SAI-t të vendit fqinj, duke theksuar se Mali i Zi gëzon simpatinë e shqiptarëve, si destinacion turistik e në veçanti për bukuritë dhe mikpritjen që e karakterizon.
Vizita studimore e delegacionit të SAI-t të Malit të Zi vijoi me një prezantim të auditimit të pasqyrave financiare të buxhetit të shtetit nga znj.Manjola Naço, me prezantimin e auditimit IT në KLSH, nga Drejtori i Drejtorisë së Auditimit IT, z.Kozma Kondakçiu, me prezantimin mbi Zhvillimin Rajonal dhe Rural, nga z.Bajram Lamaj, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit për të përfunduar me prezantimin mbi auditimin e të ardhurave të pushtetit vendor, nga z.Edvin Stefani, Shef i Sektorit të Trajnimeve dhe z.Nikollaq Niko, Kryeauditues në Departamentin e Auditimit të Njësive të Qeverisjes Vendore.
Në kuadër të vizitës studimore, delegacioni i SAI-t të Malit të Zi vizitoi Galerinë e Arteve si dhe patën mundësinë që të njiheshin me qendrat kulturore dhe historike të Tiranës.