Bukë dhe kafe “SHQIP”

 

Nga Rudina Xhunga

Te “Someg”, marr bukën përditë, te “Mulliri”, kafen. Dhe, besoj, jo vetëm unë, përderisa në çdo cep strategjik Tirane, i  gjen tashmë si ‘Someg’ dhe ‘Mullirin’, gjë që më bëri të ndaloj dhe mësoj historinë e dy linjave “Made in Albania”.

“Mulliri i vjetër” vetëm emrin ka të tillë. Kur hyn, kupton që është një “mulli rinie”. Aty gjithçka është e re. Klientët dhe gumëzhima e tyre, aroma e kafesë së sapopjekur, vajzat e shërbimit, harmonia e ngjyrave, shkëlqimi i dritës dhe stolat e bukur, nga ku nuk të vjen të çohesh.

E gjitha nisi si një kafe lagjeje, aty tek ATSH. Me një pajisje të vjetër për bluarjen e kafesë, që ngjante si plaçkë për t’u hedhur, por Lulëzimit dhe Melisës u hyri në punë. Nga ajo e filluan. E pastruan dhe vunë në punë. Çoheshin herët dhe piqnin, bluanin kafenë dhe e paketonin për gratë e moshuara të lagjes, të cilat, të parat, u dhanë besim e zemër dy 24-vjeçarëve. Ju thanë që kafe si e tyrja, kishin pirë vetëm dikur dhe ata të dy bashkë, do bënin para.

Në 2004, hapën dyqanin e parë të ri, duke ikur nga dyqani i familjes. Me të njëjtin përkushtim dhe cilësi. Por me diçka më shumë, jo vetëm kafe, por edhe kafené. Që blerësit të rrinin më gjatë, të shërbeheshin më shumë, të shkëmbenin biseda e këshilla, si dikur në kafen e lagjes.

Kështu mori jetë linja e re e dyqaneve “Mulliri i Vjetër”, e cila ka tashmë tetë dyqane – kafené në gjithë Tiranën dhe një në Durrës. Kompania e prodhimit të kafesë është një sukses më vete. Kafen e saj e gjen jo vetëm në çdo market e supermarket cilësor të Shqipërisë, po edhe në Kosovë, Athinë dhe deri në Amerikë. Të blesh kafen “Mulliri i Vjetër” në Amerikë, është si të çmallesh me shtëpinë,  me gjyshen, me oborrin, me të shkuarën, nga të ndan një jetë dhe një  oqean, i thonë Melisës klientët.

Por jo pak lëvdata marrin edhe nga blerësit në Shqipëri që e kanë “Mullirin” zgjedhje të parë në një kohë me shumë zgjedhjesh për kafené.

11 vjet pas ‘94-ës, Lulëzimi dhe Melisa ia dolën. Nuk shkoi dëm asnjë urim e bekim  i zonjave të moshuara të lagjes, afër ATSH, për atë kafenë erëmirë që nuk bëhej gjëkundi, më e dashur, se tek ata. Sepse të dy kanë vënë zemrën në këtë punë. Madje Lulëzimi edhe hundën. E shoqja thotë, që duhet t’i sigurojnë hundën, pasi nuk ka një të dytë, që të nuhasë si ai, kafenë e duhur, edhe kur ajo është jeshile. Sepse duan kafene e duhur. Është cilësia e para për të dy. Nuk mund të humbasin lehtë, çfarë bënë me aq mund. Dhe për  të siguruar cilësinë ia kanë besuar punën e tyre vajzave. Qysh në nisje futën vetëm vajza në sektorin e shërbimit. Tani familja është shtuar me 70 vajza. Kështu e konsiderojnë veten, te “Mulliri”, një familje. Një familje që kërkon besim e përkushtim. Ndaj aroma e kafes së tyre është era e shtëpisë sime.

****

“Someg” është bashkimi i emrave të fëmijëve, të familjes Yzeiri. Historia nisi në ‘97-ën, viti i tmerrshëm për shqiptarët, që doli me fat për familjen e vogël nga Berati.

Një mik i propozoi Ibrahimit të hapin bashkë një furrë buke. Ai u çudit, se gjithë jetën kishte qenë mësues arti, ndërsa e shoqja mësuese matematike. Po punës mos i thuaj, kurrë jo. Ku i dihet, ç’plan ka fati me ty.

Familjen nga Berati, p.sh,  e solli në Tiranë me 6 dyqane “Someg”, në vendet më të mira të Tiranës. E bëri të bashkëpunojë me “Pelinin” në Veronë, për të marrë teknologjinë më të fundit italiane. Me gjermanët e Martin Braun, francezët e Le Safre, italianët e Altamurës, zviceranët e Puratos.

“Someg” futi i pari bukën bio, paketimin me letër, llojet e ndryshme të bukës; dietiken, me fara, me sojë dhe elb, pa harruar bukën tonë tradicionale për nostalgjikët e komunizmit. “Traditë shqiptare, cilësi europiane”, është motoja e dy bashkëshortëve, që ndërsa rendisin punën dhe sukseset, shohin orën se shkoi vonë. “Kështu jemi ne, furtunë. Nuk na lë puna, – shfajësohen.

Nuk kanë shumë nevojë për publicitet, intervista, media. Nuk kanë nevojë për reklamë që të jenë në treg. Janë njerëzit që shkojnë te “Someg”, për aromën e bukës dhe shijen e besimit. Është klienti që lë përshtypjet, kërkesat, sugjerimet, dhe madje edhe propozon për bukën që do të donte të blinte në “Someg”.

Tani ata burrë e grua, mësues arti dhe matematike, kanë një linjë nga më të mirat e bukës në Shqipëri, në sajë të një propozimi miku, që nuk i thanë jo, në ‘97-ën.

Nuk e harrojnë, edhe tani që kanë 50 punonjës, qindra bashkëpunëtorë dhe mijëra klientë që shtohen përditë dhe një linjë që bashkon emrat dy fëmijëve, që shkollohen jashtë.

Ps. E mbani mend Lizën me kaçurrela? Vajzën e shkrimit të dy të hënave më parë. Ishte ajo që punoi për kërkimin dhe shkrimin e këtyre dy historive, për punën dhe njerëzit që ia dalin me punë në Shqipëri.

Më shkruani në dritarerudina@gmail.com

SHKARKO APP