“Bunkerizimi” i GJKKO-s, gazetarët dhe avokatët kundërshtojnë rregulloren: Cenohet transparenca e gjykatës
Pavarësisht kundërshtimeve të organizatave të gazetarëve dhe komunitetit të medias, GJKKO ka nisur më 1 shtator zbatimin e rregullores së re për rendin dhe sigurinë në ambientet e saj.
Rregullorja ka shkaktuar shqetësim të madh për mënyrën se si prek punën e gazetarëve. Ata nuk lejohen të përdorin telefonat celularë në sallën e gjyqit për të dërguar apo marrë mesazhe, ndërsa për të ndjekur një seancë duhet të paraqesin kërkesë me shkrim të paktën 24 orë përpara. Numri i gazetarëve në sallë përcaktohet nga kryesuesi i seancës dhe, kur vendet janë të kufizuara, zbatohet rotacioni.
Kufizime ka edhe për regjistrimin e pamjeve filmike. Ndërkohë, formularët e akreditimit kërkojnë edhe deklarimin e adresës së banimit të gazetarëve, masë që ka sjellë reagime të tjera nga komuniteti i medias.
Organizatat e gazetarëve kanë paralajmëruar se do ta kundërshtojnë rregulloren edhe në rrugë gjyqësore. Shqetësime kanë shprehur edhe avokatët, të cilëve u ndalohet përdorimi i telefonave në sallë. Kreu i Dhomës së Avokatisë ka kërkuar rishikimin e rregullores dhe ka paralajmëruar se, nëse nuk ka reflektim, mund të shqyrtohet edhe bojkoti i seancave. Kritikët vlerësojnë se këto kufizime prekin aksesin e medias, raportimin në kohë reale dhe transparencën e proceseve të GJKKO-së.
KOHA JONË SONDAZH

