Burra që u gafurren grave
Nga Enkel Demi
Nëse do të bënim një bilanc të këtyre dy vjetëve e ca të Partisë Demokratike në opozitë, mund të veçonim vetëm dy aksione të saj të mirëndërtuara dhe të mirëpritura nga publiku. Aksioni i parë është pa dyshim dekriminalizimi, dhe i dyti, denoncimi i punëve të dyshimta në sektorin e shëndetësisë.
Të dy aksionet ndryshojnë nga njëri-tjetri. I pari është një punë mirëfilli skuadre, ku u përfshi e gjithë piramida e re e Partisë Demokratike. Konferencat denoncuese të shtypit për emërimet e të gjitha niveleve kanë qenë tejet efikase, të shoqëruara me dorëheqje, dhe e vunë shumicën në një pozitë qesharake.
Kurse aksioni i dytë është krejt individual, dhe i takon për meritë Albana Vokshit. Ajo ka mundur të mbledhë material të hollësishëm, ka arritur ta përcjellë me një gjuhë të rrokshme nga publiku i gjerë, dhe ka qenë e vendosur në betejën e saj politike çdo ditë. Ndryshe nga opozitarët e tjerë, nuk është nxituar, nuk është përfshirë nga entuziazmi i çastit, por ka pritur që të mbledhë sa më shumë fakte, në mënyrë që të jetë e besueshme.
Një nga krizat e sotme të mëdha të opozitës është të qenit jo e besueshme, madje edhe kur ajo ka nxjerrë në dukje skandale të përmasave të mëdha; administrimi i keq i marrëdhënieve publike, shoqërimi i fakteve me metafora, krahasime bajate, çjerrje dhe veprime fizike, e kanë bërë opozitën të qëndronte larg sinoreve të besimit. Ky madje është shërbimi më i mirë që Partia Demokratike mund t’u bëjë kundërshtarëve të saj: u jep alibinë e mosbesimit.
Tek Vokshi kjo nuk ka ndodhur. Ndryshe nga shumë kolegë të saj, ajo nuk ka nxituar të zërë foltoren e konferencave të shtypit, por ka konsumuar më parë të gjitha mjetet politike në Komisionin e Shëndetësisë dhe në foltoren e Kuvendit. Konferencat e shtypit dhe intervistat i ka bërë në fund, pasi ka gjykuar se materiali që dispononte kishte nevojë për një qasje më të madhe publike.
Prokuroria e shtetit ka reaguar si përherë në fundjavë dhe në ditë pushimi, ndërsa deputetja është kërcënuar. Ky lajm i fundit, që një grua kërcënohet për hir të detyrës, nuk bën përshtypje në Shqipërinë tonë. Kuptohet, nëse Albana Vokshi do të ishte e pranishme në listat glamour të Fevziut, në programet e mbrëmjes së dytë, me siguri do ishte bërë nami. Gjithsesi, ajo është kërcënuar, dhe derisa e ka bërë vetë publike, ka diçka serioze. Para se të hynte në studio tek “Shih Programin” nëTVSH, më tha se kishte patur mesazhe aspak dashamire, por nuk ishte e trembur, sepse ndoshta në këtë vend shumë më shpesh janë trime gratë dhe zdromsa ata që gafurren.
Ndoshta Albana Vokshi nuk ka të drejtë, megjithëse përballja e saj tek Ylli Rakipi me ministrin e Shëndetësisë rrëfen tjetër gjë, por gjersa e kërcënojnë, ajo pa dyshim ka shkelur në kallo. Ata që e bëjnë këtë punë kuptohet se janë në dëshpërimin e zullumit, dhe duket u ka mbetur vetëm mjeti i forcës, por derisa çështja është bërë publike, edhe ky mjet tash është bërë i squllët, nuk ngjit.
E vetmja gjë që duhet të ndodhë tani është që kreu i qeverisë të solidarizohet me ligjvënësen e opozitës, në mënyrë që mos të përfshihet në skuadrën e kërcënimit. Edi Rama sot ka shansin të çmojë gratë që merren me politikë para se t’i tërheqë vëmendjen qeverisë çeke se nuk ka aq shumë zonja në kabinet sa ka ai.
tesheshi.com