Butrinti, zbulimi që çuditi botën
Nga Moikom Zeqo
Ugolini zbuloi teatrin e lashtë, muret rrethuese si dhe portën “Skea” dhe “Portën e Luanit”, tempullin e Asklepit, Nymfeumin, etj.
Por zbulimi i tij më i hatashëm, ishte baptisteri i rrumbullakët, dyshemeja e të cilit qe prej një mozaiku shumëngjyrësh që mahniste çdo njëri që e shikonte.
Para disa kohësh u bë një Seminar Ndërkombëtar Shkencor për të diskutuar vetëm për mozaikun e Baptisterit. Kishin ardhur dijetarë të shquar nga bota. Me këtë rast mozaiku u hap i tëri dhe nën dritën e një dielli mesdhetar që shkëlqente, mundën të gjithë vizitorët dhe të pranishmit të shijonin bukurinë e para katërmbëdhjetë shekujve.
Baptisteri i Butrintit është vepër arkitektonike dhe kultike unikale në Shqipëri. Ky baptister rrethor është i ngjashëm vetëm me disa monumente të tilla në Afrikën e Veriut dhe në Italinë e Jugut. Si ndikim kulturor, lidhet më shumë me Italinë e Jugut, çka vërteton tezën e një krishterimi të hershëm të njëkohshëm. Baptisteri është i mbështetur me kolona që ka kapitele të ngjashme me kapitelet e kishës së Shën Gjonit në Efes, të ndërtuar gjatë kohës së perandoreshës Teodora, gruas së Justinianit ilir në vitin 537 të erës sonë.
Karakteri rrethor i baptisterit lidhet me një koncept të vjetër të imitimit të tumës romake, pra të një tempulli mortor. Sipas monumentit ka pasur gjithashtu një çati rrethore dhe tërë monumenti krijonte përshtypjen pamore të tumës madhështore.
Vetë batisteri është vendi, ku pagani pagëzohet me ujin e shenjtë dhe bëhet i krishterë. Në mes të baptisterit, është vaska në formë kryqi, ku njeriu që do të kthehet i krishterë zhytet brenda në ujë dhe kjo simbolizon vdekjen e tij pagane. Kur del nga uji ai ringjallet dhe bëhet tjetër njeri, tashmë i krishterë. Riti i pagëzimit me anë të ujit të shenjtë, është riti universal i krishterimit.
Mozaiku i baptisterit respekton planimetrinë rrethore të monumentit arkitektonik dhe është konceptuar i tëri në formën e 8 rrathëve koncentrikë të vizatuar qartë me simbole kafshësh dhe shpendësh, bimësh si dhe simbole gjeometrike. Këto rrathë koncentrohen drejt qendrës, ku është vaska e pagëzimit në formë kryqi. Në rrathët mozaikë janë krijuar shtatëdhjetë medalione, që janë gjithashtu rrethe më vete, brenda të cilëve spikasin kafshë të tilla me atribute totemistikë, si: luanë, kuaj, leopardë, dema, qen, cjepë, drerë, etj. Medalione të tjerë janë figura shpendësh, ku spikasin pelikanë, pallonj, fazanë, mjellma, etj., përgjithësisht shpendë të ujërave të ëmbla liqenorë, mungojnë shpendët detarë. Medalionë të tjerë kanë edhe peshqit-simbole të Krishtit, (që i përkasin gjithashtu ujërave të ëmbla). Një grup më vete janë dhe simbolet gjeometrike, trekëndëshat dhe rombet që kanë kuptime që lidhen me yllin e Solomonit, që shpreh bashkimin e makrozmosit dhe mikrokozmosit. Një grup tjetër përbëhet nga bimët dhe lulet, kryesisht bie në sy bima e lulëkuqeve, si dhe lule me petale të përcaktuara qartë sipas një kodi simbolik.
Në hyrjen e portës së baptisterit janë dhe dy skena të kuadratizuara që paraqesin motivin e eukaristisë. Këto skena tregojnë një kantar, ku del një hardhi me dy degë me 8 veshë rrushi, si dhe fazanë e pallonj që i çokisin kokrrat e rrushit. Më sipër është dhe skena e dy drerëve që pinë ujë në burim. Kuptimi i këtij burimi është që të krishterët pinë dhe ngopen në burimin e fesë, ashtu si drerët që nuk mund të rrinë pa pirë ujin e burimit. Dy pallonjtë simbolizojnë shpirtin e përjetshëm, kurse fazanët që çokisin kokrrat e rrushit, imitojnë thelbin e Eukaristisë së Krishtit, që u jep dishepujve të vet bukën, duke u thënë se po hanë trupin e tij si dhe verën, duke u thënë se po pijnë gjakun e tij. Ky simbol shpreh inkarnacionin d.m.th. me anë të këtij veprimi eukaristik dishepujt dhe besimtarët futin brenda trupave të tyre vetë trupin e Krishtit, futin brenda formave të tyre njerëzore, hyjnitetin e Krishtit. Këtu kemi të bëjmë edhe me një subjekt teologjik të bashkëjetesës së dy natyrave: hyjnore dhe tokësore, me përparësi natyrën hyjnore.
Një parim kryesor i ndërtimit të baptisteri dhe krejt pikturës mozaikore është parimi i numrit 8. Numri 8 paraqet amëshimin, përjetësinë e shpirtit. Baptisteri i Butrintit e respekton këtë numër rreptësisht: Janë 8 rrathë që koncentrohen me njëri-tjetrin, janë 8 veshë rrushi të hardhisë që simbolizon Krishtin, janë 2 herë nga 8 kolona që koncentrohen në brendësi të sipërfaqes dhe simbolet e tjera, që përsërisin numrin 8 të shumëzuara me petalet e luleve, me numrin e fazanëve etj.
Është interesant që ky koncept i numrit 8 dokumentohet në Shqipëri vetëm në Butrint. Simbolizim i mozaikut butrintas është një simbolizëm jo vetëm gjeometrik, por edhe zoomorf. Në këtë mozaik mungon tërësisht figura antropomorfe e njeriut dhe e Krishtit. Kjo tregon që krishterimi i hershëm në Shqipëri, ka njohur disa faza. Baptisteri i Butrintit njeh akoma një mbijetesë të traditës pagane të simbolizmit, ku ende nuk ka triumfuar simbolizmi antropomorf, që bëhet baza e tërë ikonografisë së krishterë më vonë.
Stili i mozaikëve të baptisterit të Butrintit me shkollën e mozaikëve të Ohrit, me mozaikët e Gadishullit të Linit, si dhe me shkollën e mozaikëve të Nikopojës (Preteza e Sotme). Në të vërtetë ky stil ndryshon nga ato të mozaikëve të Durrësit.
Stili Dyrrahas është një nivel shumë i lartë, më i shkëlqyer, më fin dhe më intelektual se sa ai i mozaikëve butrintas. Kjo shpjegohet me faktin se Durrësi është një nga kryeqendrat e krishterimit botëror.