Ç’ probleme ka kushtetuta në zgjedhjen e presidentit?!
Nga Denion Meidani
Kuvendi ka njoftuar se, në datë 13 Prill, me dakordësinë e Konferencës do të fillojë procedura parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Raundi i parë i zhvillimit të votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës u caktua më datë 19 prill, ora 18:00. Në bazë të Kushtetutës së Republikës, sipas nenit 88, pika 2/1: “Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit.” Pra, në variantin e zakonshëm, duke qenë se në bazë të interpretimit të pjesës së parë të po këtij neni, mandati i Presidentit aktual mbaron në 24 Korrik 2017, si rrjedhojë procedura e zgjedhjes mund të fillonte në 24 maj 2017. Por, po të mbahet po ajo e njëjta datë e dekretuar e zgjedhjeve parlamentare, pra 18 qershori, ky parlament teorikisht duhet shpërndahet para asaj date. Ndërkohë këtij Kuvendi i mbaron mandati në 9 Shtator 2017; d.m.th. jemi në kushtet që mandati presidencial mbaron në gjashtëmujorin, që i paraprin fundit të mandatit të Kuvendit dhe për rrjedhojë procedura për zgjedhjen e tij nuk mund të fillojë më vonë se 9 Korrik 2017. Ky, në të vërtetë, është thelbi i këtij procesi, por dhe anomalia e tij…
***
Personalisht mendoj se, bazuar në frymën e logjikën kushtetuese, procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillonte 60 ditë para shpërndarjes së Kuvendit e jo para mbarimit të mandatit të tij, përndryshe përse duhej bërë ai veçim ligjor-kushtetues, veçse aty, në vend të termit të shpërndarjes është futur “gabimisht” termi i mandatit të Kuvendit, i cili është tashmë i përkufizuar. Vetëm me këtë lexim kushtetues, ku mbarim kuvendi mund të “quhet” edhe shpërndarja e tij, atëherë në këtë mënyrë garantohej zgjedhja e tij para shpërndarjes së Kuvendit. Pra, edhe duke mos pasur më nevojë për ta mbledhur atë më pas. Gjithashtu, do të garantohej, në frymën e kushtetutës, që presidenti i ri të zgjidhej para përfundimit të mandatit të atij paraardhës, madje pa pasur vakum apo pa pasur nevojë për ta mbushur atë vend vakant me Kryetarin e Kuvendit, i cili bile në fundet e mandatit të tij. Por, ama, ka një “inkonsekuencë përkufizimi” dhe vetë Presidenti, Kuvendi apo opozita mund dhe duhet ta kishte çuar një proces të tillë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese…
***
Nga ana tjetër, duke qenë që kushtetuta parashikon në nenin 87/5 se, kur ezaurohen të pesë raundet e zgjedhjes së Presidentit dhe nuk arrihet të zgjidhet ai, atëherë Kuvendi shpërndahet. Zgjedhje të reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij, atëherë me zhvillimin e proçedurës para shpërndarjes së Kuvendit, mund të arrihen e të zhvillohen normalisht në këtë kuadër zgjedhjet e 18 qershorit 2017. Ato, pa ekuivoke e interpretime, do të na prodhonin Kuvendin e ri, i cili do të kishte si detyrë të parë zgjedhjen e Presidentit të ri me shumicën e gjithë anëtarëve të tij e më pas formimin e Qeverisë së re e me rradhë. Po ashtu, nisja e procedurës mbas zgjedhjeve do të krijonte vështirësi të tjera, nisur dhe nga fakti që një pjesë e deputetëve aktualë mund të mos jenë më deputetë në legjislaturën e ardhshme; e për rrjedhojë më të pavarur në vendimmarrje dhe jo lehtë për t’u inkuadruar brenda vendimeve partiake. Gjithsesi në Kushtetutë është shkruar qartësisht për mbarim të mandatit të Kuvendit aktual. Me këtë lexim “pa lëshim”, na lejohet një diapazon i gjerë kohor, me që shkruhet aty “jo më vonë se 60 ditë” nga mbarimi i mandatit të Kuvendit aktual dhe duke qenë se procedura e zgjedhjes kërkon 35 ditë jemi akoma në kohë për këtë zgjedhje nga ana juridike.
***
Ngërçi qëndron në faktin se opozita është jashtë parlamentit prej kohësh. Përpos kësaj ajo nuk është regjistruar në KQZ për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme. Pra, ka një situatë të rrezikshme me mundësi të shumta për përshkallëzim e konflikt të hapur. Për më tepër, amendamentet kushtetuese të 2008, të cilat ndryshuan proçedurën e zgjedhjes në raundin e 4 dhe të 5, duke mundësuar zgjedhjen e Presidentit jo me tre të pestat por me shumicën e gjithë anëtarëve të Kuvendit, e dëmtuan rolin e Presidentit dhe e larguan atë nga një figurë konsensusi e unitetit kombëtar, apo atë të garantit të kushtetutës dhe ndarjes së pushteteve. Detyra e kryetarit të shtetit u dëmtua e cenua akoma më shumë dhe nga amendamentet pasardhëse të kushtetutës, sidomos me minimizimin e rolit të tij në drejtësi, por dhe për të bërë arbitrin e pa anshëm në raste konfliktesh e tensionesh politike si këto të sotmet. Mendoj që do ishte e gabuar nga ana e shumicës parlamentare që të zgjidhte vetëm me votat e saj një president të ri brenda radhëve të saj apo një kukull afër tyre. Kjo vetëm sa do të shtonte tensionin dhe konfliktin aktual mes palëve. Për më tepër, kjo figurë do të ishte moralisht e cunguar për të bërë rolin e arbitrit në frymën e pavarësisë kushtetuese dhe të simbolizmit të unitetit kombëtar. Marrë në këtë këndvështrim, mbase, do të kishte qenë më mirë që të pritej deri në limitet kushtetuese, duke shpresuar se palët do të ulen dhe do të gjejnë një zgjidhje me dialog apo dhe konsensus të ndërmjetësuar. Gjithashtu, duhet pasur parasysh që data 19 Prill 2017 përkon mbase rastësisht dhe me afatin e fundit të regjistrimit të koalicioneve në KQZ. Le të shpresojmë, me gjithë paranojën që po mbizotëron kohët e fundit, që posti i Presidentit nuk po përdoret si shkëmbim për çimentimin e aleancave të ardhshme parazgjedhore!…
***
Prandaj zgjidhja më e mirë do të ishte manovrimi në limitet kushtetuese duke menduar mbase dhe për një shtyrje një mujore a pak më shumë të zgjedhjeve përtej datës së shpallur duke amenduar Kodin Zgjedhor, gjithmonë me shpresën se palët do të ulen dhe do të arrijnë një marrëveshje në të mirë të vendit. Kjo, sepse zgjedhje, qeverisje, reforma e institucione të pavarura pa inputin, pjesëmarrjen dhe rolin e opozitës do të ishin veçse parathënia e një kapitulli të hidhur për një Shqipëri në konflikt bllokues e rrënues dhe larg rrugëtimit për integrim evropian.