Çamëria si ngërç i diplomacisë

Nga Hyqmet Zane/Krijimi i Shoqatës Çamëria 25 vjet më parë, ishte një ogur i mirë për të ardhmen e Çështjes Çame si problemi më i patrajtuar dhe më flagrant në shkeljen e të drejtave të njeriut. Që nga pohimi i parë nga Ramiz Aliajt që ishte President në takimin me Micotaqis më 13 janar 1991, tre ditë pas krijimit të shoqatës “Çamëria” se, “Çështja Çame” është një problem që qëndron, por ka kohën e vet që do të duhet të trajtohet” e më pas te lideri i demokracisë Sali Berisha pas fitores së 22 marsit 1992 që tha në konferencën e shtypit se, “Çështja Çame është e drejtë e vëllezërve tanë dhe në do i kërkojmë qeverisë greke kthimin paqësor në pasuritë e tyre pa ndryshim kufijsh…” e deri te qëndrimet e fundit të Edi Ramës që në një takim ndërkombëtar në Skoci pohoi se, “çështja e të drejtave për minoritetin grek është në funksion të reciprocitetit edhe për të drejtat e komunitetit çam” (pak a shumë), hapur janë qëndrime të drejta në parim, por jo në realitet.

Këtë që them e mbështes në ecurinë e një trajtimi aspak dinjitoz dhe aspak kombëtar ndaj një komuniteti që doli nga diktatura me një shpresë të madhe për zgjidhjen e çështjes çame që kishte kaluar një periudhë të gjatë jo vetëm të genocidit grek, por që përjetoi edhe genocidin komunist më hidhur se kushdo tjetër, sot ndodhet edhe në një udhëkryq. Ecuria e Shoqatës ka pasur dritë-hijet  e veta në raport me pushtetin që ka qenë në Shqipëri, por edhe për mungesë të përfaqësimit politik në parlamentin shqiptar. Çështja Çame mendohet dhe shtrohet për zgjidhje jo si një “utopi” deklarative, por duhet shtruar si një program konkret, i studiuar me faza dhe afate që në fund shteti shqiptar të arrijë në një synim në fillim minimal, më pas afatmesëm me qëllimin e arritjes së synimit optimal të çështjes çame, duke ruajtur natyrisht në “xhep” synimin maksimal.

Ngërçi më i madh qëndron në trajtimin diplomatik që nuk ka fare moral diplomatik dhe që i ka dhënë çështjes çame një stopim ose një sorollatje rreth vetes si me thënë “ku ishe, asgjëkundi, çfarë bëre, asgjë”. Nuk mbaj mend një ministër të Jashtëm në këto 25 vjet që të ketë folur gabim në lidhje me problemin çam, po aq sa nuk mbaj mend ndonjë ministër të Jashtëm që të ketë folur ndonjëherë në Athinë ballë për ballë homologëve grekë. Mungesë diplomacie, mospasje e platformës së çështjes kombëtare, mungesë e kurajës politike apo mosnjohje e çështjes dhe tulatje para presionit grek? Në tërësi qëndrojnë të gjitha, por mua më duket se ka edhe një lloj hipokrizie në sjelljen me Çështjen Çame. Mendoj se në lidhje me këtë problem mbarëkombëtar shqiptar nuk ka asnjë platformë zgjidhjeve nga pala e diplomacisë shqiptare po aq sa edhe brenda vetë komunitetit çam që ka mbetur në një hallakatje të padëshiruar, por të jetuar në këto 25 vjet. Asnjëherë nuk i është kërkuar llogari ndonjë ministri të Jashtëm e çfarë është bërë me traktatin e miqësisë Shqipëri-Greqi kur nga pala greke janë realizuar të drejtat dhe nga pala shqiptare janë mohuar tërësisht kërkesat për të marrë ato të drejta që janë legjitime dhe që në fund të fundit janë të sanksionuara në një traktat që çuditërisht nuk gjeti asnjëherë zbatim real për palën shqiptare. Përse, lind pyetja? Ka pasur mosdëshirë, dashakeqësi, nënshtrim pa kushte para presionit grek apo mungesën e sjelljes diplomatike? Të gjitha bashkë kanë përbërë atë që quhet “ngërç diplomatik”. Përkundër këtij realiteti diplomatik anemik dhe të pazot, por edhe me një dozë të konsiderueshme jo dashamirëse, ka një komunitet çam që ka pritur kaq gjatë për drejtësi dhe që kërkon drejtësi dhe rikthim të së drejtës ndërkombëtare, po aq sa ka edhe një Shoqatë Çamëria që ka një mision fisnik në një kohë jo simpatike për politikën shqiptare dhe veçanërisht për diplomacinë e këtij vendi me shumë tërheqje dhe pavendosmëri në respektimin e biletaritetit në marrëdhëniet me Greqinë. Iniciativa politike e PDIU që në themelin e saj ka drejtësinë, unitetin dhe integrimin,   duket sikur ka gjithashtu një ngërç përballë pjesëmarrjes në qeverisje dhe fryteve reale ndaj saj. Hapur duket se ashtu siç janë sjellë qeveritë e njëpasnjëshme me çështjen çame, ashtu janë sjellë edhe diplomatët e ndryshëm në krye të Mistrisë së Jashtme ndaj vetë misionit në respektim të traktateve që vetë i kanë firmosu për t’i zbatuar. Përpjekjeve politike të PDIU po i nëpërkëmben jo vetëm hallet e komunitetit me të drejtin e tij për konsiderim se realisht ka mbetur në pikë të hallit, por më keq akoma po i nëpërkëmbet edhe vetë ngërçi diplomatik që nuk ka kurajon të flasë jo thjesht për mediaticitet, por të shkruar dhe të dorëzuar zyrtarisht palës greke që gjithnjë kërkon të drejtat e minoritetit si një lojë për të mbyllur gojën e  diplomacisë shqiptare. Nëse Kryeministri Rama i përplasi në fytyrë Vangjel Dules sjelljen e tij në shërbim të interesave greke, gjithçka ka mbetur në stadin e shkëmbimit të replikave dhe nuk ka asnjë platformë qeveritare apo diplomatike për trajtimin e Çështjes Çame me seriozitet dhe përgjegjshmëri zyrtare. Çështja Çame nuk është çështje varrezash apo ca marrëdhënieve shkëmbimi qeveritar, por është një problem shtetëror me platformë dhe strategji, kërkesa dhe afate të realizuara, me dyanshmëri respektimi të të drejtave dhe bërja reale të marrëveshjeve. Aq më tepër kur ka edhe një Rezolutë për Çështjen Çame që me keqardhje duhet thënë që kryediplomati i sotëm, por edhe ca para tij nuk e kanë lexuar fare atë dhe kërkesat e saj, nuk kanë hedhur një radhë në letër për ecurinë e zbatimit të saj e jo më të flasin jo vetëm në Tiranë, por edhe në Athinë se është një Rezolutë që është miratuar në Parlamentin shqiptar dhe që është detyrim institucional dhe shtetëror. Mbetja në një situatë pritshmërie dhe lënia pezull e gjithçkaje në lidhje me kërkesat e komunitetit çam më duket se flet më shumë për sabotim dhe mashtrim se sa për dëshirën e mirë për të vënë pikat mbi “i”. Nëse historikisht grekët kanë mbetur stoik në portat e Athinës, ne shqiptarët nuk jemi as në pragun e portës së shtëpisë dhe kushdo që vjen na hyn në oborr dhe hedh valle dhe një ditë na thonë se kjo është shtëpia ime dhe ti autoktoni duhet të dalësh prej këndej. Kështu bënë me Çamërinë grekët duke e zaptuar me trastën e  lypësit. E njëjta situatë është edhe tani në Shqipëri se grekët po e marrin jugun e Shqipërisë me varret e ushtarëve të vrarë si pushtues që po na i kthejnë në heronjtë e kohës sonë me qëllimin e madh të zaptimit të ashtuquajturit Vorio-Epirit. Atëherë, ku shkuan fjalët e një presidenti shqiptar 25 vjet më parë, ku është deklarata e një lideri që ende ka forcë në Parlamentin shqiptar, ku kanë përfunduar fjalët e një kryeministri që bën lojëra fjalësh dhe në fund ata që e pësojnë janë shqiptarët e Çamërisë që mbeten si në pikën e  fillimit të demokracisë.

SHKARKO APP