Çamëria si “Toka pa njerëz dhe njerëzit pa tokë”

OPINION

Nga Hyqmet Zane

Shumë vite më parë një korrespondente e gazetës New York Times, shqiptarja e shquar, Nexhmije Zajmi nga Libohova, që jetoi dhe ndërroi jetë në SHBA, ka shërbyer për shumë kohë si korrespondente e Lindjes në këtë gazetë. E kisha dëgjuar emrin e kësaj zonje të nderuar, por nuk dija shumë rreth saj. Ashtu rastësisht në bisedë me një mikun tim historian, Eqerem Isai, që banon në Çikago të SHBA, më përmend emrin e kësaj zonje gazetare, për të cilën ai kishte një respekt të veçantë për disa aftësi në investigimin, pasqyrimin dhe këndvështrimin e realiteteve që ndodhin në lindje, që tashmë identifikohet me myslimanët dhe izraelitët, apo me pjesën tjetër brenda këtyre territoreve që i kundërvihen pjesës tjetër. E ndoqa me interes bisedën nga miku im me cilësi inteligjente, ku ai më thotë se Nexhmije Zajmi e cila ndërroi jetë në vitin 2003, ka shkruar një artikull me titullin “Toka pa njerëz dhe njerëzit pa tokë”; nga fillimet e viteve ‘50 duke marrë shkas nga ngjarjet në Palestinë në konflikt me Izraelitët. Ajo ishte e martuar me një hebre dhe pati një djalë që quhej Erik Gonlis, që gjithashtu njihet sot në rrethet mediatike si një gazetar i shquar në gjurmët e nënës së tij. Miku im fliste dhe njëherazi mua më hapeshin dritare këndvështrimi në sinkron me çështjen që ka lidhje me Çamërinë. Ai fliste dhe fliste për bujën që bëri ky artikull i cili parashikonte dëmin që mund ti vijë edhe vetë SHBA-së nga supremacia e një populli kundër popullit tjetër. Për mua, si pjesë e një popullate të ardhur nga Çamëria (Gjyshi, prindërit dhe farefisi im), ngjarja që më ngacmoi miku im mu duk përpikmërisht e tillë siç ka ndodhur në konfliktin mes Palestinës dhe Izraelit dhe popujve të tyre, ashtu ka ndodhur edhe në mes të Greqisë me Çamërinë dhe popullatave respektive si një histori që përsëritet dhe përsëritet si shenjë e mosvëmendjes të së drejtës ndërkombëtare për ti parë popujt të barabartë, jo vetëm në origjinë, por edhe në kulturë, edhe në fe, edhe në mendësi. Nëse korrespondentja e shquar e Neë York Times, Nexhmije Zajmi shkroi një artikull që ndriçoi ambjentet e skutave të errëta të mendjeve që lëvizin në korridoret e padrejtësisë, ende sot e kësaj dite nuk dihet se në cilat korridore misterioze të padrejtësisë apo të mungesës së të drejtës ecën Europa dhe kancelaritë që 100 vjet më parë e copëtuan kombin shqiptar dhe 70 vjet më parë masakrat që ndodhën në krahinën e Çamërisë, si shprehje e genocidit të pastër grek ndaj shqiptarëve, kanë mbetur në mënyrë të ngjashme me titullin e shkrimit të Nexhmije Zajmit, “Toka pa njerëz dhe njerëzit pa tokë”.

Shumëkush në Shqipëri nuk mund ta ketë dëgjuar këtë titull të madh të një gazetareje shqiptare, e cila bëri emër jo për shkak të origjinës, as për shkak të fesë, por për shkak të së vërtetës duke dhënë një mesazh po aq të rëndësishëm për kohën, si dhe shumë herë më të rëndësishëm për popujt dhe pas atij shkrimi. Gjithkush e ka dëgjuar emrin Çamëri, por shumë pak dinë se cili është territori i saj, sepse në tekstet shkollore ajo është inekzistente dhe popullata e saj si qenie jashtëtokësore. Çamëria është një tokë e lashtë që jo vetëm ka emrin e saj, por edhe personalitetet e saj, është toka e Epirotasve dhe burrave që në shekuj jetuan me genin shqiptar dhe me flamurin e tyre që në një kohë padrejtësie siç është shekulli i 20-të, mbeti si një tokë pa njerëz, jo pa njerëz në kuptimin fizik, por Çamëria mbeti pa njerëzit trashëgimtarë të saj, ata të cilët kanë varret e stërgjyshërve dhe të gjyshërve, të fis dhe farefis të vrarë dhe të masakruar për atdhe dhe për flamur. Asaj toke me emrin Çamëri i mungojnë bijtë, trashëgimtarët, ata që lindën me gjakun çam dhe që për flamur, për emrin shqiptar dhe për fenë e tyre nuk bënë konçensione me pushtuesit. Nëse ka një njeri që mund ta dëshmojë këtë fakt që ma ndriçoi aq vërtetësisht gazetarja e një gazete të madhe, ai është im atë, Nuri Emin Zane i cili lindi pikërisht në Çamëri, në Filat, në fisin e Zenelatëve dhe për ndjenjat e tij antifashiste u internua në Mathauzen dhe Dakao dhe për mëshirën e Zotit ai u kthye gjallë për në tokën e tij Çamëri, por nuk u lejua edhe pse antifashist ai u kthye mbrapsht me urdhrin që i tha komandanti i korofillaqisë së Janinës; “Do të shkurtoj nga këmbët me këtë shpatë, nëse tenton të hysh në Filat”. Kjo ishte drama e tokës që nuk ka sot njerëzit e saj.

Por drama u kthye në një tragjedi sepse njerëzit që ikën nga toka e tyre pa dëshirën e tyre, me pafajësinë e tyre dhe me të drejtën e Zotit dhe me mungesën e së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht asaj europiane, mbetën pa tokë, mbetën në katër udhët e një historie ende të pazgjidhur. Jo se nuk u pranuan nga bashkëkombasit e tyre në Shqipëri, përkundrazi, por ikja nga shtëpia pa plaçkë e pa katandi, vetëm me rrobat e trupit duke pasur bashkëshoqëruese si jatak tokën dhe si papllom qiellin dhe bashkë me të vdekjen mizore nga shumë e shumë peripeci, u kthye në një legjendë për njerëzit pa tokë. Tregohet se në një lagje të Elbasanit e quajtura “Lagja e çamëve”, rreth 50 familje të saj u vendosën në një territor në periferi të qytetit ku ndërtuan kasollet dhe më pas shtëpitë e tyre. Ishte ndjesia e njerëzve që e njohin dhe e dinë vlerën e tokës dhe që e kanë kulturën e jetesës në tokën e tyre. Aty lindën dhe vdiqën disa breza, ata që erdhën, ata që lindën e kështu me rradhë. Çuditërisht edhe pas 70 vjetëve toka që ata ndërtuan banesat e tyre nuk është e tyre. Ajo është e vërtetë që ka një pronar që për bujarinë e vendasve ata nuk e kërkojnë, por ata e dinë që ajo nuk është e tyre. Ata janë njerëzit e dënuar pa tokë, ata janë çamë pa Çamëri sepse toka e tyre vuan pa njerëzit e vet edhe pse rënkon nga dhimbja e madhe e shpirtrave të patretur për njerëzit e tyre që ikën dhe i lanë pa një grusht dhe, me gjithë thirrjen e gjakut që nuk bëhet ujë.

Pak rëndësi ka për njerëzit që nuk e njohin gazetaren e famshme Nexhmije Zajmi. Por një gazetare korrespondente të New York Times që shkroi një artikull, që vuri në lëvizje edhe administratën e Shtëpisë së Bardhë për mesazhin që ajo dha për të drejtën njerëzore ndërkombëtare të kombeve dhe vendbanimeve etnikisht të pastërta, mori një rëndësi të madhe e vërteta e kohës dhe që sot na vjen si mesazh që meriton respekt, më e pakta. Mbi të gjitha, analiza e një shkrimi me titullin “Toka pa njerëz dhe njerëzit pa tokë” na sjell në kohë një të drejtë që kanë popujt e masakruar në tokën e tyre, për të pasur të drejtën e Zotit dhe të drejtën ndërkombëtare nëse është e tillë për hir të asaj që njihet si e “drejta e Zotit”.

Të gjitha zhurmat mediatike të opinionistëve, por edhe të politikanëve shqiptar, edhe në bashkëpunim me politikën europiane, duket se me qëllime të caktuara e anashkalojnë atë që mbetet drama e shekullit për një tokë pa njerëz, pa njerëzit e saj legjitimë, autoktonë, shekullor dhe për dramën e njerëzve pa tokë, për dramën e të pafajshmëve dhe të pambrojturve deri në absurd. Nëse çdo herë në qeverisjet shqiptare bëhen ndryshime, kanë mbetur si tabu disa çështje, jo se mungon dashuria për kombin dhe historinë e krahinave që padrejtësisht mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë, por sepse duket qartazi se lobingu grek i tipit të njerëzve Nikolas Gage, bëhet imponues dhe sundues në qarqe të ngushta eprore shqiptare. 

SHKARKO APP