Çarje e skarpatës dhe rënie gurësh në aksin Qukës-Qafë Plloçë, ARRSH: Grupet e punës të ndodhura në terren
Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi sot se për shkak të reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë vendin është shkaktuar çarje e skarpatës dhe rënie e gurëve në trup të rrugës në km 35 të aksit Qukës-Qafë Plloçë.
Sipas ARRSH-së, grupet e punës të ndodhura në terren, po bëjnë vlerësimin e situatës dhe kanë marrë të gjitha masat për krijimin e një bypass-i të përkohshëm me qëllim devijimin e trafikut në këtë segment, duke shmangur rrezikun ndaj përdoruesve të rrugës.
ARRSH njofton se gjithë aksi është i hapur, i aksesueshëm pa probleme dhe në monitorim të vazhdueshëm.
Autoriteti Rrugor Shqiptar iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që të ulin shpejtësinë, të mbajnë distancën e sigurisë, të shmangin frenimet e papritura dhe të udhëtojnë me kujdes.
Një shembje masive dherash dhe shkëmbinjsh bllokuan totalisht aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë, dy muaj pas inaugurimit. Shembja ka ndodhur në afërsi të tuneleve duke e bërë këtë aks rrugor të pakalueshëm për automjetet.
Pas shirave të shumtë që ranë ditët e fundit është shkëputur një sipërfaqe e madhe mali duke bërë bllokimin e plotë të aksit. Pas situatës kritike, kompania kontraktore e mirëmbajtjes është detyruar të vendose në përdorim një bypass provizor për kalimin e mjeteve. Kjo është problematika më e madhe e regjistruar në këtë aks, pas problemeve të tjera të regjistruar më herët.
Aksi Qukës-Qafë Pllocë kushtoi rreth 260 milionë euro dhe përfundoi pas 14 vitesh, por mjaftuan vetëm dy muaj përdorim që rruga të dalë jashtë funksioni. Shembjet masive tregojnë se cilësia e punimeve është mjaft e dobët dhe në terren kanë munguar studimet e mirëfillta gjeologjike mbi qëndrueshmërinë e tokës.
Shembjet e përsëritura ngrenë dyshime të forta për mënyrën e projektimit të rrugës, për mbikëqyrjen dhe cilësinë e ndërtimit. Rruga që u trumbetua si një investim strategjik që do të lidhte Perëndimin me Lindjen po kthehet në shembull të keqmenaxhimit të fondeve publike për ndërtimin e saj.
KOHA JONË SONDAZH

